Metoda aspak “alla shqiptare” e kodeve të operacioneve policore prej vitesh është bërë pjesë e strukturave antikrim. Policia e Shtetit ka kryer qindra operacione, por vetëm një pjesë e vogël e tyre janë kryer në konspiracion të plotë.


Për t’i shpëtuar rrjedhës së informacionit “top sekret”, apo dekonspirimit, Policia e Shtetit prej shumë vitesh ka vendosur që operacioneve më të bujshme t’u vendosë edhe “nofka”, të cilat marrin miratimin nga titullari i dikasterit.


Kështu ka ndodhur edhe me një organizatë kriminale e dedikuar për trafikimin e drogës që u godit nga policia italiane në Asti, ndërsa operacioni u kodua “Lulet e Lindjes”. Gjatë hetimit, u kryen dhjetëra kërkime, duke hetuar 42 persona.


Organizata përbëhej nga italianë dhe shqiptarë që banonin në Asti. Kokaina blihej nga shqiptarët, ndërsa një anëtar italian i bandës kriminale e shpërndante atë tek tregtarët e vegjël.


Nga operacioni u arrestuan 5 persona, ndërsa janë vënë nën akuzë 24 persona gjithsej. Policia lokale ka zbuluar 3.5 kg drogë, ndërsa janë identifikuar 12.000 furnizime me kokainë.


Mediat lokale italiane shkruajnë se droga importohej nga Shqipëria dhe kishte një treg të lehtë në sheshet e zonës së Asti, veçanërisht në ato të Nizës dhe Canellit. Aktiviteti hetimor, i drejtuar dhe koordinuar nga Prokurori Publik i Asti, nisi në janar 2019.