Petrit Çarçiu nga Elbasani nuk i ka mbyllur hesapet e vjetra, ndaj është bërë sërish objekt i një atentati që as këtë herë nuk ka shkuar deri në fund, sepse ka shpëtuar për mrekulli.
Biznesmeni nga Elbasani, por me banim herë pas here edhe në Gjermani ka qenë me të birin, kur është qëlluar ndaj tij. Dosja për të është në fakt e mbushur me ngjarje që kanë të bëjnë pak vite më parë.
Më shumë se me emrin e Petrit Çarçiut, hakmarrja vjen për shkak të dy vëllezërve të tij që aktualisht ndodhen në burg në Spanjë dhe Holandë për probleme me drogën.
Ndërkohë, në fshatin ku jeton 48-vjeçari, tri herë i kanë djegur lokalin. Gjithashtu, mësohet se ai ka pasur probleme me gruan e parë dhe të dytë, ku njëra prej tyre e ka denoncuar dhe në polici për dhunë.
Burimet e Policisë bëjnë me dije, se Çarçiu është kthyer nga Gjermania dhe ka hapur një biznes në fshatin e tij të lindjes. Por, mesa duket ata që kanë hesape me pjesëtarë të familjes së tij, duke aluduar se paratë e investuara janë nga droga, kanë tentuar ta vrasin në shenjë hakmarrje.
Ende nuk ka asnjë të dhënë për autorët e mundshëm, por Policia po verifikon disa dyshime për të shkuar tek emrat e atyre që qëlluan mbi të.