Betonizimi i një zonë të gjelbër dhe shkulja e dhjetëra pemëve është vetëm ‘pamja e dukshme’ e shkeljeve të mëdha me kompleksin “White Rocks” (Shkëmbinjtë e Bardhë) që po ndërtohet nga biznesmeni, Pandeli Carapuli në Gjilekë të Dhërmiut.


Pasi ndërtoi fshatin turistik mbi një truall të bllokuar nga gjykata, biznesmeni së fundmi ka zaptuar edhe 1660 m2 për të siguruar daljen në det.


E gjithë kjo skemë përvetësimi pronash bëhet me pretendimin se Carapuli ka statusin e investitorit stategjik.


Në fakt, fillimisht, biznesmeni i shumëpërfolur u pajis nga qeveria me këtë status më 3 prill 2019 (shih dokumentin më poshtë). Por ky status ka skaduar në 3 prill 2020 dhe nga investitor strategjik, Carapuli është kthyer në një investitor të zakonshëm, duke mos gëzuar privilegjet që i jepte ligji.


Sipas një ligji tepër të debatueshëm për investimet strategjike, i jepet përparësi ndërtuesit dhe jo pronarit të truallit në rastin e ndërtimeve strategjike. Por në kushtet kur Carapuli nuk është më investitor strategjik, ai automatikisht nuk është më përfitues sipas këtij ligji.



Zaptimi i 1600 m2 truall në petkun e investitorit


Edhe pse ligji flet qartë, ashtu siç ka folur edhe gjykata, Carapuli është futur në mënyrë të njëanshme në pronën e qytetarit Andon Bifsha, duke e legjitimuar këtë vendim të tijin me statusin e “investitorit strategjik”.


Në tentativë për të siguruar dalje në det, biznesmeni kërkon të shtrijë resortin e tij në një truall tjetër.


Trualli në bregdet është sërish i Andon Bifshës, me të cilin Carapuli është në gjyq. Pasi i mori pronën ku po ndërton resortin përmes një marrëveshje të njëanshme me njërin prej pjestarëve të familjes së tij, po në mënyrë të njëanshme, ai po tenton t’i marrë Andon Bifshës edhe 1660 m2 truall për të siguruar daljen në bregdet.


Por zgjërimi i Carapulit në kurriz të pronës së qytetarit ka dy probleme të mëdha ligjore; në lejen e aplikuar për këtë projekt që nuk i takon të zgjerohet jashtë kufijve aktual të resortit dhe e dyta statusi i investitorit strategjik ka skaduar.


Mëposhtë dokumentat e që ka zaptuar Carapuli: