Kodrat e Liqenit Artificial të Tiranës, të cilat janë mushkëria e vetme e rreth 1 milionë banorëve, po “kafshohet” nga ndërtuesi, Pandeli Carapuli.
Ndërtime shumëkatëshe, por edhe komplekse në sipërfaqe të mëdha, po mbijnë përditë në kurorën e gjelbër të kryeqytetit, e cila po betonizohet me ritme të shpejta.
Babëzia e ndërtimit nuk ka të sosur, e pikërisht Carapuli i është vërsulur truallit që gjendet ngjitur me Liqenin Artificial, ku çmimet për metër katrorë arrijnë në mijëra euro.
Në redaksinë e gazetës “Shqip” kanë mbërritur ankesa të shumta nga banorë të ndryshëm, të cilët denoncojnë këto ndërtime, të cilat po betonizojnë atë pjesë që ka ngelur nga gjelbërimi.
Kështu Carapuli i njohur si biznesmeni i “Rilindjes” pas zaptimit të pronave në zonën e Dhërmiut, po pushton edhe kodrat e Liqenit Artificial të Tiranës.
Pushtimi nga firma e Carapulit
Denoncimi i parë që na ka mbërritur është për zonën në afërsi të liqenit të thatë. “Përshëndetje! Ngjitur me rrugën që të çon në Sauk, sa kalon Liqenin e Thatë, janë bërë gropa të mëdha dhe po betonohet. Janë bërë pallate. Përrenjtë janë mbushur me beton dhe dhera të tjera. Po punohet dita ditës!” është denoncimi që na ka mbërritur në redaksi. Dhe, menjëherë filluam të verifikojmë ankesën. Normalisht, çdokush prej nesh, i ka parë këto ndërtime. Janë vërtetë ngjitur me rrugën.
Nga një vëzhgim i thjeshtë rezulton se në atë zonë po punohet përditë me mjete të rënda. Betoniere shkojnë në zonë, ndërsa kamionë të mëdhenj çojnë materiale ndërtimi. Zona, nga një zonë e gjelbër, është kthyer në kantier të madh ndërtimi.
Pemët që ndodheshin, apo edhe lëndinat, janë mbushur me beton. “Shqip” pyeti në institucionet vendore për të mësuar se kush ishte investitor. Dhe, normalisht, nuk mund të ishte një emër i panjohur. Oligarku që po bën këto ndërtime është Pandeli Carapuli, me firmën e tij EUROCOL. I njëjti që betonoi Golemin. I njëjti që po golemizon edhe zonat bregdetare në jug të Shqipërisë.
Gazeta “Shqip” mësoi se në zonën e Liqenit të Thatë po ndërtohet një rezidencë, me emrin “Park Life” (https://www.eurocol.com.al/rezidenca-park-life). Fillimisht po ndërtohet në një sipërfaqe prej mijërash metrash katrorë, ndërkohë që parashikohet se do të ndërtohet edhe në zonat përreth. Pra, pjesa ku kryeqytetasit qetësonin sytë, po betonohet me ritme të shpejta!
Denoncimi i dytë
Denoncimi i radhës është për një tjetër kafshim të Kodrave të Liqenit Artificial. Kësaj herë në zonën më të lakmuar, në rrugën “Faik Konica”. “Rezidencë unike me dizajnin e një vepre arti që të kujton te famshmin Goja”, shkruhet me pompozitet te faqja zyrtare ku reklamohet projekti.
Banorët e zonës kanë dërguar disa ankesa në redaksi, ku ndër të tjera shkruajnë: “Mirë që në zonë banojnë politikanët e të gjitha krahëve, po të paktën mos të bëjnë më ndërtime. Mos të lejojnë të ndërtohet. Tani po bëhet një pallat 13-katësh. Kanë rrethuar zonën dhe po fillojnë. Po vijnë betoniere. Ju lutem na ndihmoni t’ju çjerrim maskën”. Dhe, fill pas ankesës, Shqip verifikoi ankesën. Konstatimi i banorëve ishte i drejtë, pasi zona më e kërkuar në Tiranë për të jetuar do të shtohet me një kullë të re. Zyrtarët vendorë konfirmuan se në zonë po ndërtohet një kullë, prej 13-katësh. Madje, ngjitur me Kodrat e Liqenit.
Sipas informacioneve të “Shqip”, në zonë do ndërtohet rezidenca “Garden Side”, me sipërfaqe totale 12,000 m2. Pra, banorëve të Tiranës do t’u zhduken plot 12 mijë metra katrorë. Dhe, firma që po bën ndërtimin është sërish EUROCOL. Pra, ndërtuesi Pandeli Carapuli. I njëjti që po ndërton edhe në pjesën tjetër të Liqenit të Thatë!