Agjensia e Mbikqyrjes Policore ka publikuar raportin vjetor të vitit 2022, për efektivët e arrestuar, të proceduar, si dhe llojet e ankesave që qytetarët kanë bërë ndaj tyre.

Referuar të dhënave të kësaj agjensie, nga janari deri më dhjetor janë arrestuar 168 punonjës policie. Krahasuar me vititin 2021, janë arrestuar 80.6% më shumë. Pjesa më e madhe e tyre janë me vendim gjykate, të hetuar për korrupsion, shpërdorim detyre, mosveprim e veprime arbitrare.

Gjatë vitit që lam pas, hetimi disiplinor nisi për 58 efektivë, nga të cilët 42 të nivelit zbatues, 14 punonjës të nivelit të parë drejtues, e më pak për nivelet e tjera.

Sipas të dhënave, numrin më të lartë të ankesave që qyqytarët kanë bërë, janë për policinë e Rendit dhe Sigurisë Publike, me 826 ankesa. Pasohet nga Policia Rrugore me 589 ankesa, 429 për hetuesit e krimeve, e më pak për sektorët e tjerë.

Ndërsa numrin më të lartë të shkeljeve të raportuara pranë Agjensisë së Mbikqyrjes Policore e mbajnë gjobat e padrejta të vendosura nga Policia Rrugore për shkelje të Kodit Rrugor. Janë raportuar gjithsej 612 raste për këtë gategori, duke u pasuar me ankesat për efektivët që kanë kryer veprime arbitrare dhe ata të cilët kanë shkelur procedurat standard.