Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me dosjen hetimore për Dibran Hoxhajn, autorin e vrasjes së Visar Cengut.
Hoxhaj, i njohur në të gjithë Kosovën për jetën luksoze, makinat e shtrenjta dhe florinjtë, për Gjykatën e Prizrenit ishte i varfër ekonomikisht. I njohur si Kobra, i riu përveç vrasjes së Visart Cengut, rezulton të jetë dënuar për 17 raste, por asnjëherë nuk ka vuajtur dënim me burg.
Nga të gjitha rastet e analizuara rezulton se ndaj Dibran Hoxhajt, Gjyqtarët kanë marrë parasysh në total 48 rrethana lehtësuese, ndërsa vetëm 5 rënduese, të cilat mund të ndikojnë që dënimi të jetë më i ashpër. Disa nga rrethanat lehtësuese ishin: se është student, se ka sjellje korrekte ndaj gjykatës, se ka rënë për herë të parë ndesh me ligjin, se është i varfër ekonomikisht, se është pajtuar me viktimën, se është beqar, se është i papunë, se është provokuar nga viktima, se është penduar, dhe se e ka pranuar fajësinë.
Rrahje, lëndime të rënda trupore, shmangie tatimore, vjedhje energjie, dëmtim i vulave zyrtare, dëmtim i pasurisë së huaj e kanosje, janë disa nga veprat penale për të cilat ishte dënuar ndër vite Dibran Hoxhaj.
Në shkurt të vitit 2021, gjyqtarët e Apelit, Kreshnik Radoniqi, Xhevdet Abazi dhe Afërdita Bytyçi, e konfirmuan dënimin me gjobë prej 6 mijë eurosh ndaj Dibran Hoxhajt për një vepër, e cila sipas ligjit dënohej nga 3 deri në 10 vite burgim. Në këtë rast për lëndim të rëndë trupor, Dibran Hoxhaj u dënua nën minimumin e paraparë ligjor, pra u dënua me vetëm 6 muaj burgim, i cili u konvertua në gjobë prej 6 mijë eurosh, ndonëse minimumi që mund të shqiptohej në këtë rast ishte 3 vite burg.
Dibran Hoxhaj, i njohur si ‘Kobra’ akuzohet për veprën penale “vrasje e rëndë”. Dibran Hoxhaj është përleshur me tre të rinjtë nga Kukësi, dy prej tyre të identifikuar si Visar Cengu dhe Rufgen Shehu. Sherri ka nisur pasi të rinjtë nuk kanë pranuar që të paguanin faturën prej 400 eurosh që kishin konsumuar në lokalin e Dibran Hoxhajt. Pas përleshjes fizike, Hoxhaj ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar ndaj klientëve. Si pasojë e të shtënave, Cengu ka mbetur i vrarë dhe shoku i tij është plagosur.