Tre persona janë arrestuar në flagrancë nga Policia në Fier, teksa po tentonin të transportonin mbi 100 kg lëndë narkotike.

Policia ka njoftuar se 3 të arrestuarit  tentuan të hidhnin në lumë thasët me lëndë narkotike kanabis sativa, sapo panë uniformat blu. Po ashtu janë proceduar në gjendje të lirë dhe dy të mitur, 14 dhe 16 vjeç, të cilët ishin bashkëpunëtorë të3  të arrestuarve.

Njoftimi i policisë:

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Fier dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, të DVP Fier.

Si rezultat, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: Z.(P). V., 24 vjeç, P. V., 22 vjeç dhe E. V., 27 vjeç, banues në Baltëz, Fier.

Gjithashtu u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për 2 shtetas të mitur, 14 dhe 16 vjeç, banues në Baltëz, Fier.

Shërbimet e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 17 thasët e mbushur me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, me peshë totale 176 kg.

Gjithashtu, në cilësinë e provës materialet u sekuestruan 2 peshore, gërshërë, 3 aparate celulare dhe pajisje të tjera që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale. Vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.