Gazetari Artan Hoxha thotë se rrëmbimi i 3 policëve të Kosovës nga forcat serbe ishte një operacion i organizuar. I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Hoxha theksoi se fotografimi i policëve pas rrëmbimit kishte një synim të caktuar nga Serbia. Gjithashtu ai theksoi se efektivët kanë bërë mirë që nuk kanë reaguar gjatë ndalimit me forcë përballë forcave speciale serbe, pasi ata nuk do të ishin gjallë.
“Më shumë se sa veprimi konkret, pra rrëmbimi, sepse ata janë rrëmbyer. E ai veprim është qartazi që është bërë me synim të caktuar. Pamjet e arrestimit në Mitrovicë të njërit nga organizatorët e protestave nga Policia e Kosovës sigurisht që patën një efekt të madh. Kjo patrullë ka qenë për të ruajtur një shteg që përdoret nga kontrabandistët. Forcat speciale serbe e kanë përgatitur këtë operacion. Unë di që Policia e Kosovës ka armatim perëndimor. Me këtë lloj automatiku ka luftuar Adem Jashari. Ata (serbët) nuk kanë simbole, sepse nuk kanë dashur të identifikohen. Kosova me Serbinë ka një problem, nuk e ka kufirin e shenjuar. Kufiri i Kosovës me Serbinë nuk është i shënjuar, prandaj dhe Vuçiçi luan e thotë i kapa në brendësi të territorit. Është një kufi që KFOR i ka të dhënat e asaj dhe lëviz. Ushtria serbe ka kaluar vijën e kufirit. Ai është operacion mirëfilltazi i organizuar”, tha Hoxha.