Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni i përbashkët mes autoriteteve shqiptare dhe italiane, që çoi në goditjen e një grupi kriminal që trafikonte drogë.
Mësohet se nga 43 urdhër arreste të lëshuar, në pranga kanë rënë 30 të dyshuar dhe janë ushtruar kontrolle në 31 lokacione. Gjatë operacionit u sekuestruan pesë pushkë, një pistoletë dhe gjashtë automjete.
Mësohet se grupet kriminale dyshohet se ishin përgjegjës për trafikun në shkallë të gjerë të kokainës, kanabisit dhe heroinës, kryesisht nga Shqipëria në Itali.
Operacioni i sotëm është pjesë e një hetimi afatgjatë, i cili po ndërmerret bashkërisht nga autoritetet italiane dhe shqiptare dhe ka çuar deri tashmë në arrestimin e 62 personave dhe sekuestrimin e aseteve me vlerë rreth 1 milion euro (në Itali), si dhe në sekuestrimin e sasive të mëdha të drogës.