Është zbardhur ngjarja e rëndë e ndodhur ditën e djeshme në Fushë-Krujë ku 34-vjeçari, Indrit Ndoj u gjet i vrarë dje në një kanal.

Autoritetet policore bëjnë me dije se janë arrestuar dy vëllezërit me iniciale S. M., 39 vjeç dhe L. M., 18 vjeç, banues në Fushë Krujë, të dyshuar si autorët kryesorë të ngjarjes.

Njoftimi i Policisë:     

Fushë Krujë

Zbardhet ngjarja e ndodhur mëngjesin e datës 21.10.2022, në Fushë Krujë, ku u gjet i pajetë shtetasi I. N., 34 vjeç, banues në Krujë.

Dokumentohet me prova ligjore se 34-vjeçari nuk është vrarë me armë zjarri, por me një send të fortë shpues/ prerës.

Identifikohen, kapen dhe vihen në pranga dy vëllezër, të dyshuar si autorë të vrasjes.

Sekuestrohen provat ligjore që çuan në zbardhjen e ngjarjes dhe në identifikimin e autorëve.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Krimet ndaj Jetës dhe Pronës, në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës dhe Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, si rezultat i hetimeve të thelluara, bënë të mundur zbardhjen e vrasjes së 34-vjeçarit, identifikimin dhe kapjen e dy vëllezërve, si autorë të dyshuar të vrasjes së tij, konkretisht shtetasit:

S. M., 39 vjeç dhe L. M., 18 vjeç, banues në Fushë Krujë.

Nga tërësia e veprimeve të thelluara hetimore, këqyrja e vendit të ngjarjes, këqyrja e trupit të viktimës, si dhe mekanizmi i ngjarjes, ka rezultuar se në trupin e viktimës ka një plagë në këmbën e djathtë, që është shkaktuar nga një mjet i fortë shpues / preres dhe për shkak të gjakderdhjes, 34-vjeçari ka humbur jetën.

Grupi hetimor, gjatë veprimeve hetimore ka sekuestuar në vendngjarje dhe në banesën e dy vëllezërve, prova ligjore që implikojnë dy vëllezërit në vrasjen e 34-vjeçarit.

Paraprakisht dyshohet se dy vëllezërit janë konfliktuar fizikisht, për motive të dobëta, me 34-vjeçarin, i cili ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi” dhe e kishte thyer masën duke dalë në rrugë.

Në konflikt e sipër, ata e kanë goditur me një mjet të fortë shpues 34-vjeçarin dhe më pas janë larguar.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vrasja”, e kryer në bashkëpunim.