Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku Ka dalë ditën e sotme në një deklaratë për mediat, në lidhje punën e unoformave blu gjatë fushatës elektorale.
Rrumbullaku deklaroi se nga data 12 prill, e cila përkon me fillimin e fushatës për zgjedhjet lokale të 14 majit dhe deri sot, që është dita e fundit, janë evidentuar 54 raste të krimeve zgjedhore. Ndërkohë, sipas tij, janë nën hetim 88 persona.
“Gjatë periudhës zgjedhore, strukturat e posaçme hetimore të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me prokuroritë respektive, kanë vlerësuar dhe analizuar, çdo indicie, çdo informacion, kallëzim apo deklarim të çdo qytetari, përfaqësues të subjekteve zgjedhore apo kandidatëve, me qëllim, sqarimin e rrethanave, sigurimin e provave dhe vendosjene autorëve para drejtësisë. Nga të dhënat statistikore rezulton se, nga 14 prill deri më 12 maj, janë evidentuar gjithsej 54 raste raste të veprave penale në fushën e krimeve zgjedhore, ku janë proceduar penalisht, gjithsej, 88 shtetas.
Të ndara sipas veprave penale; Dhënia e shpërblimeve dhe e premtimeve, 25 raste me 45 autorë, përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike apo zgjedhore, 1 rast me 1 autor, korrupsioni pasiv në zgjedhje, 20 raste me 25 autorë; kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje, 2 raste me 3 autorë; pengimi i zgjedhësit, 3 raste me 7 autorë; shkelja e të drejtës së zgjedhjes, 3 raste me 7 autorë”, theksoi ai.