Më 30 janar mbështetësit e grupimit Berisha do të realizojnë primaret për të zgjedhur nga vota e anëtarësisë së PD-së kandidatin për kryetar të bashkisë për qytetin e Durrësit.

Kjo do të jetë hera e parë që kandidatët për kryetar bashkie i zgjedh anëtarësia, e kjo si një përpjekje për të pasur sa më shumë konsensus me demokratëve në kushtet kur dukshëm janë dy grupime brenda partisë më të madhe të opozitës.

Disa nga emrat e propozuar janë Luan Hoti, Manjola Luku, Oerd Bylykbashi, Ardian Muka, Igli Cara, Osman Stafa, Fatbardha Kadiu.

Në këtë listë emrash janë edhe ato që njihen si mbështetës të Bashës, si kryetari i degës lokale, Luan Hoti dhe Manjola Luku. Ata janë futur në një votim pa pasur ndonjë ndarje dhe do të jetë baza që do të vendosë se cilët kandidat duan për t’u përballur me Emirjana Sakon e PS-së.

Në një intervistë për Report Tv, avokatja Merita Dakovelli, ish-kandidate për deputete, një përkrahëse e Berishës në përplasjen në PD tregon se Hoti dhe Luku nëse do të plotësojnë formularin e Komisionit të Rithemelimit për të kandiduar pranojnë në mënyrë të tërthortë Kuvendin e 11 dhjetorit.

“Në këto primarie ne do ta bashkojmë qytetarinë durrsake, edhe sa i përket asaj pjesës gri që ne synojmë të thithim. Unë jam rreshtuar me Komisionin e Rithemelimit. Propozimet nga anëtarësia ka qenë e hapur, pa diktat. Vetëm në një grup seksion ka një miksim në pjesën e mbështetësve të z. Basha, që nuk më vjen mirë ta ndaj kështu. 2 nga emrat janë rreshtuar nga ana e z. Basha. Në unison të gjithë grup seksionet e tjera të gjithë kandidatët janë të rreshtuar me Komisionin e Rithemelimit.  Komisioni i Rithemelimit ka përcaktuar primaret si mënyrën kryesore të përcaktimit të kandidatëve. Brenda ditës së sotme kandidatët do të çojnë CV-në politike dhe profesionale. Edhe nëse z. Hoti dhe znj. Luku plotësojnë formularin do të thotë që po plotësojnë kriteret e Komisionit të Rithemelimit dhe në mënyrë të tërthortë rreshtohen aty”, tha Dakovelli.