Kryetari i grupit të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka kërkuar që Prokuroria e Posaçme, SPAK të nisë hetimet ndaj Shkëlzen Berishës për shkak të kredive të marra dhe ndërmjetësimet e kryera.


Balla ka reaguar pas lajmeve të botuara nga Gazeta “Shqip” mbi pasurinë e djalit të ish-kryeministrit Berisha, si dhe për kontratat e fitimit si sekser, apo dhe kredinë e dyshimtë të përfituar.


“Zenit s’kam ç’i them, por i bej thirrje SPAKUT të nisë hetimet për kete djalë me fat, që pa punuar një ditë në jetë disponon miliona euro kredira, duke u deklaruar ndërmjetes (dmth sekser). Çfarë ndërmjetëson ky tip dhe kush janë subjektet që i paguajnë këtij tipi qindra e mijëra euro në vit për ndërmjetësime?! Çfarë autoriteti ligjor, moral, njerëzor ka ky djalë mbi njerëzit që e paguakan si frëngu pulën për ndermjetesimet e tij?! Çfarë zgjidhjesh të suksesshme u ofron ky pajtues gjaqesh palëve në konflikt dhe nga çfarë hallesh i shpëton me ndërmjetësimet e tij?! Këto jane pyetje që kërkojnë përgjigje nga Spaku, jo nga ne dhe ne presim që Spaku t’ia japë këto përgjigje publikut”, deklaroi Balla në fjalën e tij në Parlament.


Deklarata e plotë në Parlament


PD thotë nuk duam ne që ju të votoni ndryshimet kushtetuese se duam t’i hapim listat 100%!  Po si hapen listat 100%  për zgjedhjet e ardhshme, pa u votuar ndryshimet kushtetuese nesër?


Këtë Luli nuk e thotë, ndërkohe që thotë se paskemi shkelur afatet e Kodit të Praktikave të mira të Venecias që nuk këshillon ndryshime 1 vit para zgjedhjeve! Po edhe Kodin e Praktikave të mira Luli e lexon sipas qejfit, sepse po t’i qëndrojmë strikt leximit, atëherë ne s’duhet ta votonim as marrëveshjen e 5 qershorit, se edhe ajo i bie më pak se 1 vit para zgjedhjeve të ardhshme. Domethënë sipas Lulit, ne sot jemi vone për hapjen e listave, prandaj duhet t’i shtyjmë që të jemi më herët kur të bjere dakord Luli!


Por të presësh Lulin të bjerë dakord për listat e hapura është njësoj si të presësh Zenin të bjerë dakord për hapjen e hetimit për kreditë e padeklaruara të fabrikës se boronicave apo të ndonjë fabrike tjetër manaferrash! Sepse Zeni nuk ka vetëm një kredi 1.8 milionë euro që nuk merret vesh si ia kane dhënë dhe pse ia kane dhënë me kaq bujari, po ka edhe një tjetër 5.4 qe ia kane lënë peshqesh në shportën e boronicave.


Po të dy çunat e Babit, edhe çuni nga mami edhe çuni nga partia, kanë të përbashkët të paktën dy gjëra: E para, gënjejnë pa pikën e stresit dhe e dyta janë aq dembelë sa përtojnë të fshehin edhe gjurmët e rrenave të tyre!


Lulzim Basha nuk e do hapjen e listave as 100 për qind, as 10 për qind, njësoj si Shkëlzen Berisha nuk e do hapjen e hetimit për boronicat prej floriri, sepse as listat e Lulit, as boronicat e Zenit, nuk e durojnë dot dritën e transparencës.


Nga kjo foltore i them Lulzim Bashës dhe asaj qe eai e quan opozitë e bashkuar, se nesër ne do t’i hapim listat, do Luli s’do Luli, ndërsa Zenit s’kam ç’i them, por i bej thirrje SPAKUT të nisë hetimet për këtë djalë me fat, që pa punuar një ditë në jetë disponon miliona euro kredi, duke u deklaruar ndërmjetës (dmth sekser).


Çfare ndërmjetëson ky tip dhe kush janë subjektet që i paguajnë këtij tipi qindra mijëra euro në vit për ndërmjetësime?! Çfarë autoriteti ligjor, moral, njerëzor ka ky djalë mbi njerëzit që e paguakan si ‘frëngu pulën’ për ndërmjetësimet e tij?!


Çfare zgjidhjesh të suksesshme u ofron ky pajtues gjaqesh palëve në konflikt dhe nga çfarë hallesh i shpëton me ndërmjetësimet e tij?!


Këto janë pyetje që kërkojnë përgjigje nga SPAKU, jo nga ne dhe ne presim që Spaku t’ia japë këto përgjigje publikut. Po ajo që nuk ka nevojë të presim SPAK-un për ta thënë është se po t’i kisha unë boronicat e arta që hapkan dyert e bankave si të ishin puse nafte, sot Babi i Zenit dhe Luli i Babit do me kishin kryqëzuar me 1000 gozhdë akuzash e tmerresh! Prandaj unë sot theksoj dy gjera: E para ky parlament ka detyrën ndaj shqiptareve të hapë listat nesër, e enjte 30 korrik, pa pritur Lulin te bjere dakord, se është njësoj si të presësh Zenin të pranoje se është thjesht një sekser që ka abuzuar me pushtetin e Babit. E dyta SPAKU ka detyrimin të hape hetimin për fabrikën e boronicave të arta, pa pritur që Zeni ta kaloje edhe këtë siç kaloi shumë të tjera, kur Babi kishte në dorë edhe gurin edhe arrën.