Në fjalimin e tij të parë në parlament që nga fitorja në zgjedhjet vendore të 14 majit, kryeministri Edi Rama deklaroi: “Çmimi i energjisë në tregun ndërkombëtar ka rënë, por nuk është kthyer aty ku ishte.”

“Qeveria ka patur dhe ka vullnetin e plotë për të paguar, ndërkohë që me ardhjen e verës konsumi do të rritet në mënyrë të ndjeshme përsëri dhe ne do të duhet të rihapim diskutimin e fashës”, shtoi Rama.

Ndër të parët që reaguan ishte Konfindustria e cila kundërshton çdo nismë qeveritare për rritjen e çmimit të energjisë për bizneset dhe qytetarët.

“Përpara hedhjes së çfarëdolloj ideje për rritje të çmimit të energjisë sot, në radhë të parë duhet parë nëse ne i kemi shfrytëzuar të gjitha potencialet tona dhe e kemi menaxhaur siç duhet sistemin tonë energjitik. Në bazë të të dhënat nga institucionet shtetërore del që humbjet vjetore vetëm nga vjedhjet dhe humbjet teknike janë 100 milionë euro. Duke patur parasysh edhe faktin që ende bursa e energjisë, nuk është vënë në funksionim dhe të gjitha transaksionet e shitje-blerjeve bëhen në tavolinë ta quajmë, mendohet që humbjet mund të arrijnë deri në 20% të asaj çka duhej të ishte.

Duhet pasur parasysh gjithashtu që në tregjet ndërkombëtare çmimet e energjisë janë ulur në mënyrë dramatike dhe situate energjetike në Shqipëri, që të gjithë jemi të vetëdijshëm është jashtëzakonisht e mirë.

Ideja e rishikimit të fashës së energjisë është rihedhur pas zgjedhjeve, pasi janë rritur pagat e funksionarëve të lartë të shtetit dhe diku do të gjenden këto para. Mbase kanë menduar që e gjithë kjo shumë e nevojshme për të përballuar rritjen e pagave, të bëhet në mënyrë indirekte duke rritur çmimin e energjisë dhe të karburanteve”, tha Gjergj Buxhuku, administrator i Konfindustria.