Gjykata Kushtetuese pritet të marrë në shqyrtim ditën e sotme dy kërkesa të Grupit Parlamemtar të PD.

Kërkesat janë lidhur me mandatin e deputetes dhe Ministres Olta Xhaçka.

Bëhet me dije se një grup deputetësh mes tyre Gazment Bardhi, Dashnor Sula, Jorida Tabaku, Saimir Korreshi, Orjola Pampuri, Arbi Agalliu, Merita Bakiu, Lefter Gështenja, Salaudin Jakupllari, Zheni Gjergji, Ferdinand Xhaferraj, Ilda Dhori, Emilja Koliqi dhe Flamur Hoxha, i kanë kërkuar Gjykatës Kushtetuese të zgjidhë konfliktin e kompetencave midis opozitës dhe mazhorancës, duke nxitur Kuvendin që t’i kërkojë Kushtetueses heqjen e mandatit për deputeten Olta Xhaçka.

Këtë çështje deputeti Gazment Bardhi e ka konsideruar “një gur prove nëse Gjykata Kushtetuese është garante e Kushtetutës, apo është garante e regjimit të korruptuar të Edi Ramës”.

Sipas tij “vetëm në Shqipëri ndodh që një ministër të jetë edhe investitore strategjike”.

Reagimi i plotë i Gazment Bardhit:

Vetëm në regjimin e korruptuar të Edi Ramës ndodh që një ministre/deputete të jetë edhe “investitore strategjike”! Sot në orën 10:00 Gjykata Kushtetuese do të marrë në shqyrtim kërkesën e Grupit Parlamentar të PD lidhur me mbrojtjen që Edi Rama në mënyrë antikushtetuese i bëri në Kuvend investitores strategiike Olta Xhacka. E sotmja është një gur prove nëse Gjykata Kushtetuese është garante e Kushtetutës, apo është garante e regjimit të korruptuar të Edi Ramës.