Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik pak ditë më parë, ku një 32-vjeçare hodhi në lumin Kir fëmijën e saj 6 ditë pasi e solli në jetë në maternitetin e Shkodrës.

Ajo është Orjana Gremi dhe më 30 dhjetor të vitit 2022 kishte sjellë në jetë një djalë. Në datën 4 janar të këtij viti, Orjana ka lënë spitalin, pasi ka kryer të gjitha procedurat edhe për përfitimin e bonusit.

Kanë qenë misionarët e Kishës Katolike që kanë njoftuar policinë paraditen e së shtunës kur më pas u gjet trupi i pajetë.

Gremi banonte në fshatin Golem në njësinë administrative Rrethina, Shkodër te dajat dhe ishte me origjinë nga Fieri. Vajza ishte e pamartuar, ndërsa fëmijës nuk i ka deklaruar atësinë.

Pas aktit e reja është drejtuar te murgeshat, të cilave u ka rrëfyer krimin e rëndë.

“E kam hedhur sepse nuk kisha ku ta lija”, mësohet se ka thënë ajo, ndërsa murgeshat njoftuan menjëherë policinë.

Kjo ngjarje e rëndë u diskutua ditën e sotme në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, ku në lidhje “Skype” ishte gazetari Bepin Kolvata. Ky i fundit u shpreh se zhvillimi më i ri është masa e sigurisë që vendosi gjykata për 32-vjeçaren.

“Zhvillimi i fundit është masa e sigurisë që vendosi Gjykata, arrest me burg. Nuk ka thënë asnjë fjalë të vetme gjatë seancës, por është shfaqur në gjendje të rëndë psikologjike.

I vetmi moment tensioni ka qenë mes avokatit mbrojtës i dhënë nga shteti dhe prokurores së çështjes. Prokuroria ka kërkuar që të cilësohet “një vrasje në rrethana rënduese”, ndërsa avokati i saj “në rrethana të tjera cilësuese”.

Gjykata ka vendosur të pranojë kërkesën e Prokurorisë. Tashmë ajo është shoqëruar për në kryeqytet për t’u vendosur në burg”, tha Kolvata.

I pyetur nëse është takuar me ndonjë psikolog, gazetari u shpreh se 32-vjeçarja do t’i nënshtrohet një testi psikologjik në momentin që do të arrijë në burgun e grave në kryeqytet.

Ndërsa pyetjes ‘a ka pasur tentativë për të abortuar?’, Kolvata u shpreh:

“Dy murgesha të Kishës Katolike i kanë qëndruar pranë. Njëra prej tyre punon në spital dhe është informuar për rastin në fjalë. Ajo është interesuar për këtë rast dhe i kanë dhënë ndihmë.

Madje Oriana ka thënë se do e japë fëmijën për adoptim. Zyrtarisht nuk ka pasur asnjë tentativë për të abortuar. Nëse ka pasur tentativa në klinika private, këtë informacion nuk e kemi”.

Gazetari u shpreh se ende nuk dihen arsyet se pse Gremi ndryshoi mendje për të lënë foshnjën për adoptim.

“Më 4 janar kur janë kryer thuajse të gjitha procedurat për ta lënë të birin, ka ndërruar mendje në momentin e fundit. Arsyeja nuk dihet. Më 4 janar ka bërë shumë shpejt procedurat për të dalë nga spitali. Pasi ka marrë bonusin ka dalë menjëherë vetëm me foshnjën”, shtoi ai.