Kryeministri Edi Rama ka folur sot për herë të parë për çështjen “McGonigal”, arrestimin e ish-zyrtarit të FBI-së, sonte në “Top Story” në Top Channel.
Duma: Lobim juaji nëpërmjet këtij zyrtari që mund të jetë shfrytëzuar nga dy biznesmenët që janë takuar me ju në zyrën tuaj. A është normale kjo? I thonë dhe mediat ndërkombëtare…
Rama: Opozita thotë këto e shumë të tjera, por problemi është se i thotë opozita, dhe jo drejtësia amerikane. Mediat ndërkombëtare nuk thonë asgjë të tillë, nuk akuzojnë në asnjë formë qeverinë shqiptare, kur aktakuza nuk e ka diçka të tillë. Nëse na ka shpëtuar ndonjë rresht, na e shfaqni dhe jam gati ta diskutojmë. Rasti i ish-zyrtarit të FBI-së ka të bëjë se si i ka zbatuar ai rregullat dhe ligjet e vendit të vet, jo se si i kam zbatuar unë. Unë nuk e kam takuar ish-zyrtarin e FBI-së me asnjë lloj biznesmeni. Ai ka ardhur sëbashku me një qytetar shqiptaro-amerikan të cilin ma ka prezantuar si mikun e tij dhe natyrisht i kam thënë “bujrum”.
Duma: Ky qytetari shqiptaro-amerikan ka përfituar ndonjë tender nga qeveria shqiptare?
Rama: Unë flas për marrëdhënien me ish-zyrtarin e lartë të FBI-së dhe s’jam njeriu që duhet të pyetem se a ka përfituar gjë ai në shtetin shqiptar diçka nga ndokush.
Duma:Ka qenë dhe një këshilltar që e keni përcaktuar si këshilltari i jashtëm pa pagesë?
Rama: Unë mar këshilltarë të jashtëm sa të dua, nuk kam pse i mar leje dikujt. Ai ka qenë këshilltari im, e kam ftuar unë të jetë pranë meje duke çmuar faktin që është një njeri që ka njohje, ka kontakte që i kam thënë t’i vendosë sa më mirë në shërbim të vendit tonë.
Duma: Oligarku rus…?
Rama: S’kam asnjë lidhje me të, as qeveria shqiptare. Në asnjë rast nuk është folur për të, vetëm kur opozitat bashkë me mediat e tyre nxorën lidhje të kapjes së veshit mbrapsht me aktivitet në Shqipëri të kompanisë më të rëndësishme të flamurit austriak në botë, ku mësova që ky person paska pasur akisone, krejt punë e tyre, dhe nga e cila është larguar menjëherë pasi është vendosur në sanksione.
Duma:Pse përmendet vetëm emri juaj dhe asnjë zyrtar tjetër i vendit? Është takuar edhe me të tjerë..
Rama: Për arsyen e thjeshtë që ai dhe unë jemi takuar, për këtë pyesni ata që kanë preferuar të ndalen këtu. Kjo lidhet me faktin se në fund fare rasti është përkufizuar si mosdeklarim borxhi, jo me mua, por i ardhjes në Shqipëri, dhe të gjithë të tjerët që ka takuar në Shqipëri, se ka shkuar e në Kosovë, e Mal të Zi, e Bosnje.