Detaje të reja janë zbardhur nga konflikti në familje në Llakatund të Vlorës që çoi në djegien e dy banesave. Banesa në pronësi të famiiljes së Lutfi Fanajt, është përfshirë nga flakët pasi ish-dhëndri i tij ka shkuar bashkë me shokun, është konfliktuar i ka dhunuar familjarët e ish-gruas dhe më pas është larguar. Fqinjët tregojnë se ai e kishte mbyllur në shtëpi gruan dhe djalin e tij dhe u tha se do t’i përvëlonte.
‘Kur erdhëm neve ishte bërë dasma. Komplet ishte djegur. Ishin djali me vajzën! I vuri zjarrin i dhëndri nga Kosova. Ish-dhëndri i kishte mbyllur brenda dhe i vuri zjarrin. Ishte shoku edhe ky! Janë zënë për punën e vajzës, pasi vajza iku se i mori djalin. Erdhi bashkë me shokun e tij e i tha a po s’të përvëlova ty.’- u shpreh fqinja.
Ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit. Shkak i kësaj ngjarjeje dyshohet se është bërë prishja e martesës. Ish-dhëndri nga Kosova ka shkuar në banesën e prindërve të ish-bashkëshortes së tij, është konfliktuar me ta, i ka dhunuar dhe më pas u ka vënë flakën shtëpisë dhe është larguar. Ai mësohet se ka qenë në shoqërinë e një shokut të tij. Si pasojë e agravimit të flakëve, është djegur dhe banesa e fqinjit, Petrit Izeti. Si pasojë e flakëve nuk raportohet për të lënduar.