Gjykata e Apelit ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për 49-vjeçarin Ilir Paja, i cili u arrestua në Laprakë më 3 nëntor për llogari të autoriteteve italiane.

Paja rezulton i dënuar në Itali për veprën penale të vrasjes në bashkëpunim.

Gjykata e Apelit Tiranë, informon:

Më datë 03.11.2022, nga ana e punonjësve të Drejtorisë Vendore Tiranë, është bërë arrestimi i shtetasit me iniciale I.P, për qëllim ekstradimi mbi bazën e  vendimit penal të dhënë  nga Gjykata e Milanos, Itali, për kryerjen e veprës penale të “Vrasje e kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga ligji italian.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka zhvilluar gjykimin lidhur me vlerësimin e ligjshëm të arrestit dhe caktimin e masës së sigurimit personal “arrest ne burg”, ndaj personit nën hetim shtetasit me iniciale I.P, për efekt ekstradimi.

Me vendimin nr. 2324 Akti, datë 05.11.2022 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë vendosi:

Vlerësimin si të ligjshëm të arrestit të shtetasit me iniciale I.P.

Caktimin si masë sigurimi personal ndaj shtetasit I.P, “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 283 dhe 495 të K.Pr.Penale, lidhur me procedurat e ekstradimit në Itali.

Çështja u shqyrtua në gjykatën e apelit mbi bazën e ankimit të bërë nga shtetasi me iniciale I.P, i cili kërkoi ndryshimin pjesërisht të vendimit, caktimin e masës së sigurimit personal atë të “Detyrimit për tu paraqitur në pilicinë gjyqësore”.

Në përfundim të gjykimit Gjykata e Apelit Tiranë, e përbërë nga Gjyqtare znj. Emona Muçi, me vendimin nr. 1026 datë 24.11.2022, referuar edhe nenit 494 pika 6 të Kodit Procedurës Penale, vendosi:

– Miratimin e vendimit nr. 2324 akti, date 05.11.2022 te Gjykates se Rrethit Gjyqsor Tirane, duke i caktuar personit të arrestuar masen e sigurimit personal “arrest ne burg” me afat 40 ditor.
– Kunder vendimit lejohet rekurs ne Gjykaten e Larte brenda 45 diteve duke filluar ky afat nga e nesermja e komunikimit te vendimit.

Kush është Ilir Paja

I kishin vënë nofkën “Ufo”, për aftësinë e tij për të “avulluar” papritur nga burgjet ose kudo që ndodhej i ndaluar.

Ilir Paja, vrasësi i rrezikshëm nga Berati, i dënuar me 24 vite burg në Itali, është arrestuar në Shqipëri në 3 nëntor pas arratisjes nga burgje të ndryshme.

Në vitin 2007, për shembull, ikja e tij nga një ambulancë në të cilën ndodhej i shtruar, u bë e famshme. “CV”-ja e tij është e pasur me ngjarje kriminale, nga Gjermania, Italia e deri në Shqipëri.

Paja, 49 vjeç u arrestua në Tiranë, teksa agjentët shqiptarë dhe italianë të ardhur nga përtej Adriatikut posaçërisht për të, po e prisnin përballë një dyqani berberi, ku ai do të shkonte të hiqte mjekrën, zbulojnë mediat italiane.

Këtë herë, u treguan më të kujdesshëm për arrestimin e tij, duke parë se kishte përvojë në arratisje falë shkathtësisë dhe rrezikshmërisë së lartë.

Gjithçka, falë mbajtjes nën vëzhgim dhe përgjimeve të telefonit prej muajsh, ku ai komunikonte me miqtë e tij të vjetër.

I kërkuar nga disa shtete, por ai zhdukej në “ajër”

Paja ishte i zhdukur prej disa vitesh dhe kërkohej nga policia italiane dhe gjermane për kryerjen e vrasjeve në të dy vendet.

I dënuar në Itali me 24 vjet e 4 muaj burg për vrasje, arratisjet e guximshme nga burgjet e ndryshme ku ishte mbajtur, mbetën të “famshme”, aq sa fitoi edhe pseudonimin “Ufo”, si dikush që zhdukej papritur.

Arratisja e tij e parë në Itali u bë nga burgu në Peruxhia, në orën e ajrimit, kur ai u ngjit mbi një nga muret tetë metra të oborrit të burgut të “Capanne”, falë një litari artizanal të bërë nga çarçafë të lidhur.

Arrestimi në Gjermani për vrasje

Ai gjithashtu u arratis kur ishte i burgosur në pritje të ekstradimit në Gjermani, ku akuzohet se ka vrarë një bashkëatdhetar në Duisburg me të shtëna të shumta armësh zjarri.

Shijoi vetëm pak muaj liri, nga qershori deri më 4 shtator 2006, kur Paja u kap sërish në Buscate, në Milano gjatë një operacioni të kryer nga skuadra lëvizshme e Peruxhias, e cila po hetonte arratisjen nga Peruxhia dhe një tjetër në Lombardi.

Në vitin 2007, arratisja e tij nga një ambulancë me të cilën ai u transferua nga një burg në tjetrin, në një zonë shërbimi të autostradës A1 Autosole, ishte spektakolare, kur, në Reggello simuloi një sëmundje për të sjellë kreun e policëve që e shoqëronin tek barela në të cilën ndodhej i shtrirë.

Pasi e goditi me kokë dhe e rrahu, Paja arriti të depërtojë derën e ambulancës dhe të zhduket në pyll, edhe pse vrapoi zbathur dhe me një krah të thyer.

Më 11 shtator 2007, një makinë theu barrierën e tarifave në Binasco, në provincën e Milanos.

Në bord ndodheshin dy shqiptarë, njëri prej të cilëve, arriti të arratisej, ndërsa një djalë 9-vjeçar ishte marrë si peng në makinë. Ai që kishte arritur të arratisej, sipas të gjitha gjasave, për hetuesit italianë ishte Ilir Paja.