Një aksident tragjik ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Lezhë. Nga informacionet e deritanishme bëhet e ditur se një automjet ka përplasur një këmbësor në hyrje të qytetit.

Këmbësori ende i paidentifikuar është transportuar me urgjencë në spitalin e Lezhës por për shkak të përplasjes së fortë nuk ka mundur të mbijetojë.

Rreth orës 20:00, në hyrje të qytetit Lezhë, konkretisht në afërsi të “Kryqëzimit të Shëngjinit”, shtetasi N. S. duke drejtuar automjetin e tij ka aksidentuar një këmbësor të gjinisë mashkull, akoma i paidentifikuar, i cili është dërguar në spital por si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë.

Drejtuesi i mjetit ndodhet i shoqëruar në ambientet e policisë për veprime të mëtejshme procedurale. Grupi hetimor në vendin e ngjarjes vazhdon veprimet hetimore për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit dhe identifikimin e viktimës.