Rovena Voda, ish-zv-ministrja e Brendshme e akuzuar se ka marrë para për një vend pune, kërkon nga Gjykata që të mos qëndrojë në masë sigurie “Arrest në shtëpi”. Ajo kërkon nga APeli i Posaçëm që t’i hiqet masa e sigurimit pasi nuk paraqet rrezik.
Pak ditë më parë, newsbomb.al zbardhi përgjimet e Prokurorisë Speciale SPAK, për ish-zv.ministren e Brendshme Rovena Voda dhe dy gra të tjera që ndikuan për të fituar një vend pune në Ministri. Prokuroria thotë se ka provuar që Voda ka marrë para dhe të mira materiale nga Majlinda Hasani dhe Florida Beu.
Nga përgjimet del dhe momenti kur Majlinda Hasani dhe Florida Beu flasin për paratë, për shumën 1.000 euro që do t’i japin Vodës, dhe më pas momentin kur ia kanë dhënë. Ish-zv.ministrja i ka marrë me shpejtësi paratë e futura në zarf sepse kishte kamera në ambientin ku ato ndodheshin.
Megjithëse akuzohet për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm” dhe SPAK ka dokumentuar veprimet e saj, Rovena Voda thotë se nuk plotësohen kushtet ligjore që ajo të qëëndrojë në “Arrest shtëpie”, ndaj masa e sigurimit duket të revokohet.
Nuk ka asnjë rrezik për largim jashtë vendit apo për prishje të provave të hetimit, pretendon Rovena Voda në kërkesën e saj dërguar Gjykatës së Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.