Mediat greke, të cilat po i kushtojnë një vëmendje shumë të madhe arrestimit të Fredi Belerit, thonë se Athina zyrtare ka pasur reagim deri në nivelet më të larta për këtë ngjarje.
Sipas tyre ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, ka kontaktuar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Më herët, Nikos Dendias kishte njoftuar për këtë çështje kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis.
Po sipas mediave greke bëhet me dije se ministri i Brendshëm i Greqisë ka folur në telefonin me homologun e tij shqiptar, Bledi Çuçi.
Nga ana tjetër është konfirmuar se ambasadorja e Greqisë në Tiranë, Konstantina Kamitsi, pas porosisë së Athinës ka zhvilluar sot në mëngjes një takim në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Ajo është pritur për pak minuta në një takim nga një zyrtar i Ministrisë tonë të Jashtme. Burime bëjnë me dije se ambasadorja ka shprehur shqetësimin për arrestimin e kandidatit për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri.
Burime bëjnë me dije se në rast të tillë ndiqet procedura normale që ka të bëjë me ankimet dhe Ministria e jashtme pritet që t’ia kalojë shqetësimin organeve që po merren me këtë çështje, pra organeve të drejtësisë.