Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka mbajtur fjalën e saj ditën e sotme në Kuvend, teksa ka komentuar rastin e arrestimit të Sekretares së Përgjithshme. 

Manasterliu është shprehur se arrestimi i Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë që ajo drejton për korrupsion, është ngjarje e rëndë dhe duhet që drejtësia të çojë hetimet deri në fund.

Në fjalën e saj në Parlament, Manastirliu u shpreh se kushdo që shkel ligjin duhet të përballet me drejtësinë dhe se përgjegjësia është personale.

“Qëndrimi im është i prerë dhe i qartë jo vetëm për këtë ngjarje nga e cila si institucion distancohemi plotësisht. Është qëndrimi që kemi dhe do kemi gjithmonë për çdo rast në shkelje të ligjit, çdo rast të abuzimit me detyrën. Cilido që shkel këto parime duhet të përballet me pasojat që parashikon ligji. Ky është qëndrimi im. Ky ka qenë qëndrim dhe bindja ime që nga dita e parë. Është ngjarje e rëndë, organet e drejtësisë duhet të bëjnë punën e tyre, rasti duhet të hetohet deri në fund dhe më pas nëse del ashtu sikurse dyshimet janë, të përballet me pasojat e ligjit. Çdo person ditën që merr besimin dhe bashkë me të dhe detyrën e lartë në shërbimin publik, merr automatikisht dhe përgjegjësinë përpara ligjit dhe përgjegjësia është individuale. Kjo është arsyeja pse e iniciuam dhe e bëmë reformën në drejtësi. Para ligjit të gjithë të jenë të barabartë, të gjithë të përgjigjnn njësoj. E kuptoj që djathtas, jo të gjithë, e keni të vështirë ta kuptoni dhe përptypni këtë, se atëherë kush ishte në hetim vazhdonte të drejtonte institucione të rëndësishme financiare edhe nga shtëpia. Kur prokuroria vepronte, i hidheshit në fyt, i shpallnit luftë. Sot nuk besoj që ju ta kuptoni dot qëndrimin tim dhe qëndrimin tonë për këtë gjë”, u shpreh ministrja Manastirliu.

Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë Joana Duro dhe një zyrtare tjetër e kësaj Ministrie, u arrestuan për korrupsion në një tender. Bashkë me to janë arrestuar dhe administratori i kompanisë Vladimir Topi dhe inxhinier i firmës, Silvi Shehi, që kishin fituar tenderin për supervizimin dhe rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në qarqet Tiranë e Durrës.

Sekretarja e Ministrisë kishte marrë 330 mijë Lekë të reja ryshfet nga kjo kompani.