“Kush qeveris e punon, nuk është kurrë dot perfekt. Ju kërkoj ndjesë dhe për këtë”. Më këto fjalë ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj ka nisur reagimin e tij vetëm pak minuta përpara se të mblidhet Kuvendi për të votuar lejimin e arrestimit të tij. Në fjalën e tij, deputeti socialist ka shumë akuza, “thumba”, “kunja” për miqtë që sot janë bërë armiq, por edhe për lidershipin socialist në mënyrë direkte dhe indirekte.

Ai shprehet ndër të tjera se nuk është arratisur, por se ka ikur jashtë vendit për arsye familjare. Mes të tjerash ai thotë se ka marrë edhe kërcënime.

REAGIMI:

Unë jo e jo që s’kam gjak blu, por jam një njeri tejet i zakonshëm, me gjak nga Gjirokastra, Vlora, Korca, Rrogozhina, Kavaja, Lezha, Kukësi e Tropoja nëse doni. Dhe lutem e shpresoj që Drejtësia e Re që unë e kam mbështetur e votuar me të dyja duart, të mos deformohet nën presionin e politikës dhe statistikës.

E kam perjetuar diku me qetësi, diku me “buzëqeshje të brendshme”, diku me revoltë të brendshme, nxitimin triumfues të largimit një vit më parë, totalisht një sinjal për “të gjitha kafshët e pyllit”, kërcënimin me demek indirekt në një forum partie “se do ikja në të s’ëmës”, habinë dhe thyerjen kur mora vesh se kush nga “tanët” ( së bashku me ata që më duan të vdekur, sic tha Fevziu në Opinion përpara disa muajsh), promovuan mercenarët të shërbenin kundër meje, “marrjen peng” të bashkëjeteueses time dhe ish-bashkëshortes time, e më pas kontrollet spektakolare të emetuara si të ishin kallëpe të dala nga goja, e banesave, ku lajmi shkonte më parë në media sesa procesverbali në zyrat e institucionit, të qenit një “black falling star” në një media kombëtare që e kam dashur dhe respektuar shumë (meqë ra fjala, dhe lufta në Kosove dikur zgjati më pak në media se sa emri im servirur nga Spin Doktor/doctors si gjellë e helmuar e përditshme), pastaj disa “falanga” të dala nga kuadri i ligjit që nuhasnin gjurmët e mia. Në shume vende demokratike ku Spin doctor/doctors nuk do arrijnë të strukturojne mesazhin…kjo quhet “PËRNDJEKJE”. Ka një nen në Kodin penal, ndoshta 121, ndoshta 128.

Ahhh, harrova se si filloi, me frikën dhe stopimin e 90% të atyre që punoja në nivelet e larta në politikë apo ekzekutiv, e që dikur ndoshta i kam mbështetur e promovuar (me ato mundësi të miat), për të bërë atë që kishim bërë ndër vite, të ishim miq e shokë. I kuptoj që “duhet” të kishin e kenë frikë, ndoshta. Nuk i mirëkuptoj, po e di që ishte gjendur “armiku” që do dimensionohej e ridimensionohej më pas në shumë episode.