Gazetari Artan Hoxha ka mbërritur në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë ku do të merret në pyetje në lidhje me audio-përgjimet e publikuara në lidhje me tragjedinë e 21 janarit ekskluzivisht në “Zona Zero” në Top News.
Në një prononcim për mediat, Hoxha tha se kryeministri Edi Rama dhe paraardhësi i tij Sali Berisha janë dy personat që duhet të merren në pyetje lidhur me këtë ngjarje. Ai tha se fëmijët e të vrarëve presin përgjigje prej tyre e duan të dinë se kush i shkrepi plumbat që u morën jetën baballarëve të tyre.
“Unë i jam përgjigjur thirrjes që ka bërë Prokuroria e Tiranës, e cila është duke hetuar çështjen e 21 Janarit. Mesa pashë në komunikimin e bërë publik, detyra i është lënë policisë së kryeqytetit. Duke ndjekur moton e avokatit Maks Haxhia që ka thënë se kush do të vijë këtu në kohë dimri duhet të vishet trashë, siç e shikoni, unë jam veshur me pallto leshi, me triko leshi. Kështu që kam ndërmend të rri gjatë. Falemindeirt, shihemi më pas.
Këto janë pjesë që do të ngelen në komunikimin me policinë. Unë besoj që çfarë ka qenë për tu bërë publike, është bërë. Pjesa tjetër është çështje e hetimit, janë ata që e vlerësojnë nëse është një indicje që të çon drejt një prove, që ndihmon gruoin e hetimit të zbardhë vrasjen e 21 janarit. Ajo që është fakt sot është se pas 12 vitesh kemi dy të vrarë, Hekuran Dedën dhe Aleks Nikën. Janë ekzekutuar para kamerave, para syve të të gjithë botës, por ngjarjet kanë mbetur pa autorë.
Ajo që duhet të jepet përgjigje nga ish-kryeministri i kohës që vazhdon me variantin e vjetër, më duket me variantin që ka dalë një Carlo Gambino tani mbrapa që Garda ka zbatuar ligjin. Por ajo që kam nxjerrë unë tregon që Garda jo vetëm që nuk ka zbatuar ligjin, por ka ekzekutuar njerëz të pafajshëm të një vendi, me urdhër, qytetarë që kanë qenë përtej trotuarit, tek kullat. Aleksa Nika është vrarë te kulla, në cepin tjetër të bulevardit. Rama e Berisha duhet tu japin përgjigje vajzave të atyre katër personave që u vranë. Kush e vrau Akeks Nikën? Kush e vrau Hekuran Dedën? Kjo është ajo që duhet zbuluar. Për fat të mirë kemi një autor për vrasjen e Veizit. Nuk ka rëndësi se cili kryeministër e jep përgjigjen, i sotmi apo i djeshmi, të dy bashkë duhet të japin një përgjigje. Pamja dëshmoi se nga automatiku ishte qëlluar Veizi dhe rrëzoi alibinë që ngriti Berisha, gjithsesi ajo që më intereson është tu kthehet përgjigje familjarëve të viktimave,” tha Hoxha.