Vijojnë të dalin detaje të reja nga ngjarja e ndodhur në Tiranë, ku autobusi i Unazës u përplas me një makinë tip Benz dhe më pas shkaktoi edhe aksidentimin e disa automjeteve të tjerë.

Së fundmi për mediat ka folur shoferi i makinës tip Benz, në të cilën u përplas autobusi dhe pësoi dëmtime të rënda. I identifikuar si Iliri, shoferi i Benzit shprehet se autobusi po ecte shumë shpejt, teksa drejtuesi i tij ishte rreth të 60-ave.

“Para meje nuk kishte makina dhe këmbësorë në ecje në momentin e ngjarjes. Unë maj mend vetëm zhurmën e llamarinave pas makinës sime. Autobusi ishte në ecje në momentin e ngjarjes, e pashë nga pasqyra. Në gjykimin tim po ecte shumë shpejt.

Dola nga makina pasi mora pak veten, sepse nuk e kuptova çfarë ndodhi, kisha vetëm këmbën në frena. Patjetër që rripin e kisha vendosur. Mesa pashë në autobus kishte shumë të lënduar.

Urgjenca erdhi, morën të parët, më pas avash-avash edhe të tjerët. E pashë shoferin e autobusit, ishte i tronditur, besoj se ishte rreth të 60-ave. Ai ishte me alkool, me tension dhe me zemër. Tani le ta shohë policia”, u shpreh Iliri, shoferi i Benzit.