Autobusët urbanë vijojnë të shkaktojnë aksidente në kryeqytet, ku më i fundit është shënuar tek rruga e Elbasanit.

Një autobus që vinte nga Kërraba humbi drejtimin dhe u përmbys në rrugë, duke marrë përpara dy makina të tjera.

Si pasoje e aksidentit të rëndë tre persona mbetën të lënduar. Të plagosurit u dërguan në spital për të marrë ndihmën mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Drejtuesi i mjetit u shoqërua në polici menjëherë pas aksidentit. Gentjan Qosja ka deklaruar se nuk ka arritur të mbajë kontrollin e autobusit teksa po udhëtonte në rrugën e pjerrët, pak pasi kaloi Pallatin e brigadave.

Nga verifikimet e kryera në terren nga ekspertet ka rezultuar se 42-vjeçari nuk ka përdorur alkool dhe nuk ka qenë me shpejtësi. Dyshimet kryesore janë se kemi të bëjmë me një gabim teknik.

Si pasojë e këtij aksidenti rruga Tiranë-Elbasan për rreth dy orë qëndroi e bllokuar derisa u hoqën nga rruga mjetet e aksidentuara.