Klement Çala vijon betejën me Ministrinë e Drejtësisë për izolimin në sistemin 41 Bis, një regjim sigurie tepër i ashpër në sistemin e burgjeve në Shqipëri.

Ai është dënuar me 20 vjet heqje lirie për akuzën e pjesëmarrjes në grabitjen e 4.6 milionë eurove në pistën e aeroportit të Rinasit në prill 2019, në bashkëpunim me një grup të strukturuar kriminal, ku bënte pjesë edhe Admir Murataj.   

Kujtojmë se në fund të korrikut, në Gjykatën e Lartë është regjistruar çështja penale me objekt kundërshtimin e urdhërit të Ministrit të Drejtësisë nr. 230, datë. 20 maj 2022, “Per vendosjen në regjimin e posacem të ushtrimit të të drejtave në burgun e sigurisë së lartë për të paraburgosurin Klement Çala”.

Avokatët e të dënuarit, e bazojnë kërkesën e tyre në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në Kushtetutë e Shqiperisë dhe Kodin e Procedurave Administrative si dhe ligjin për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”.

Beteja ligjore e të dënuarit për grabitje me Ministrin e Drejtësisë, ka nisur që prej vitit 2022, menjëherë pas urdhërit për izolimin në sistemin 41 BIS, i cili në tetor të atij viti u anulua nga Gjykata e Posaçme.

Ky regjim i krijuar vitet e fundit në sistemin e burgjeve në Shqipëri, parashikon izolimin e personave të dënuar për krime të rënda dhe krim të organizuar me qëllim shkëputjen e tyre nga çdo mundësi bashkëpunimi apo mbajtje lidhje me personat jashtë.