Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar sot kryeministrin Edi Rama se me projektin e Ballkanit të Hapur po kërcënon sigurinë kombëtare të vendit.

Në një konferencë për mediat, ku foli në lidhje me incidentin e ndodhur në uzinën e armëve në Gramsh, Berisha deklaroi se ky projekt u mbështet dhe nga ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, duke shtuar se Rama po vepron si agjent influent i Kremlinit në Tiranë.

“Ajo për të cilën unë jam këtu është se ka një projekt tjetër madhor, për Ballkanin, projekt serbo-rus e ky është Ballkani i Hapur.

Shqiptarët e dinë se ky projekt u mbështet para dy muajve haptas publikisht me gjithë potencialin e tij nga ministri i Jashtëm rus Lvrov. E ky projekt mbështetet fuqimisht nga vasali i Vuçiç në Tiranë, Edi Rama.

A nuk është ky një akt madhor kërcënimi të sigurisë kombëtare nga Edi Rama?

Pra ata që kërkojnë agjenturën në bunkere dhe tunele, e atje duhet kërkuar, por problemi madhor për Shqipërinë e sigurinë kombëtare është e ajo sot është në krye të qeverisë së vendit. Rama po vepron si agjent influent i Kremlinit në Tiranë me projektin Ballkani i Hapur”, tha Berisha në një deklaratë për mediat.