Në bazë të urdhrit nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë për kontrollet e kamerave, të cilat janë vendosur në mënyrë të jashtëligjshme, edhe drejtoria vendore e policisë së Korçës është duke identifikuar rastet e shkeljes
Deri në këto momente janë hequr dhjetëra kamera në qytetin e Korçës dhe atë të Pogradecit, ku shkelësit e ligjit do të ndiqen dhe penalisht.
Kontrollet do të vijojnë edhe në qytetet e tjera të juglindjes dhe nëpër fshatra.
Ky angazhim nga ana e forcave policore vjen pas zbulimit disa ditë më parë të kamerave të sigurisë të vendosura në disa zona të qytetit të Shkodrës, ku u çmontuan kamera spiune në lagje të instaluara nga ‘të fortët’. Policia ka shoqëriuar 5 persona në Komisariatin e Policisë së Shkodrës në kuadër të operacionit “Fijet”. Gjatë marrjes në pyetje, asnjëri prej tyre nuk ka ndihmuar hetuesit në zbardhjen e autorëve të vendosjes së kamerave nëpër shtylla dhe hapësira publike, e po ashtu nuk dihet se ku ndodhet serveri kryesor që mban të gjitha pamjet e kapura në disa nga rrugët më të rëndësishme të Shkodrës. Kamerat u zbuluan edhe ditën e djeshme në Vlorë. Autorët mbeten mister.