Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi, i ftuar në News 24, është pyetur në lidhje me takimin e Lulzim Bashës me të rinjtë në Tiranë. Ai tha se Basha është në PD, ndërsa la të nënkuptuar se nuk është pjesë e skenarit, duke mos ditur edhe axhendën e tij.

Bardhi ka folur lidhur me mundësinë e rikthimit të Lulzim Bashës në krye të PD, opsion ky i shumëpërfolur pas nisjes së takimeve të tij me të rinjtë. Bardhi u shpreh se Basha e dha dorëheqjen për t’u shërbyer demokratëve, e për të mos nxitur më tej krizën. Ai shtoi se zgjidhjen për partinë nuk e sheh të lidhur me një emër, qoftë ai edhe Lulzim Basha.

“Nuk e di qëllimin dhe objektivat e takimit. Si çdo politikan aktiv, secili ka të drejtën e detyrimin të jetë në kontakt me qytetarët. Diskutimet brenda PD kurrë nuk i kam bërë me emra të caktuar. Kushdo që mohon një krizë në PD, i kujtoj të kthejë kokën pas në rezultatet e 14 Majit. Rezultat që kërkon pjekuri nga secili prej nesh për të reflektuar. Të mos nxitohemi për mundësinë e zgjidhjes brenda PD, e nuk dua të nxitoj në asnjë koment pa një qëndrim të qartë të cilitdo. Sot PD është në krizë e ka nevojë për zgjidhje. Siç unë kam kuptuar aktin e tij të dorëheqjes, ishte akt në dobi të demokratëve. Asokohe kishte kërkesë që të tërhiqej edhe Berisha. Sot PD vijon të jetë në krizë, dhe ne duhet të dalim mbi interesin personal për të çuar para PD. Nuk e shoh zgjidhjen të lidhur me emrin e një individi. PD nuk ka nevojë për figurën e një individi”, tha ai.

“Zoti Basha është në PD. Unë jam politikan, jo analist. Aktiviteti i Bashës nuk ka lidhje me strukturat e PD-së, nuk është një aktivitet i organizuar nga grupi parlamentar i PD. Unë nuk jam sekretar i zotit Basha. Unë po them, e kam lexuar aktivitetin e dorëheqjes së Bashës për të bashkuar PD, sot nuk ka ndryshuar asgjë në këtë drejtim. Secili mban përgjegjesi për çdo aktivitet të tij. Sa kohë unë nuk kam dijeni, nuk jam në gjendje të shpjegoj për këtë takim. Jam i fokusur tek grupi parlamentar i PD sipas besimit që më kanë dhënë për të mos i fryrë zjarrit, përçarjes së PD”, tha ai.