Çfarë po ndodh me fatin e vëllezërve Beqiraj?
Indrit e Gentian Beqiri janë dy vëllezërit që vendosën të bashkëpunonin me drejtësinë, duke rrëfyer krime të rënda të ndodhura në Tiranë e Durrës.
Gjykata e Durrësit gjatë caktimit të masës së sigurisë për të dyshuarit u shpreh se Beqirajt në bashkëpunim me persona të tjerë kishin vepruar si grup i strukturuar kriminal dhe mbi bazën e këtij vendimi prokuroria vendosi të shpallë moskompetencën dhe t’ja kalojë dosjen penale SPAK.
Pasi shqyrtoi nga afër aktet e dosjes, prokuroria e Posaçme i ktheu fashikujt në Durrës, me argumentin se edhe nuk ka element të grupit të strukturuar kriminal. Siç duket SPAK nuk pranon të hetojë dosjen penale ndaj dy vëllezëreve Beqiri, raporton BW.
Prokuroria e Durrësit po heton për të gjetur fakte të reja që provojnë deklarimet e vëllezërve të penduar. Indrit e Gentian Beqiraj u mbajtën peng disa orë nga njerëzit e afërt të Aleksandër Lahos alias pëllumb Muharremit i njohur si Rrumi.
Pasi u liruan, ata iu shpjeguan hetuesve se kishin marrë porosi për të survejuar Rrumin me qëllim eliminimin e tij.
Mbi bazën e dëshmisë së tyre, prokurori shpalli në kërkim Aleksandër Lahon, i cili më herët i kishte mbijetuar atentatit të 1 nëntorit 2019 tek mbikalimi i Shkozetit mbi automjetin e ish-prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoj.
Vëllezërit Beqiraj rrëfyen edhe krime të tjera të rënda, siç ishte masakra e Don Boskos, ku mbeti viktimë shtetasi Erion Çela si dhe u plagosën disa persona të tjerë.
Beqirajt thanë në prokurori se Cela u vrau gabimisht nga Kevin Suci, me urdhër të Kasandër Nogës, i cili kishte porositur vrasjen e kundërshtarit të tij, Geron Hasanballiu.
5 muaj nga vrasja e Erion Çelës, Beqirajt thanë se morën një tjetër porosi, për të ekzekutuar në Sukth, Arben Mërkurin, i njohur ndryshe si “Maneci”, por siç shpjeguan më pas ata nuk e kryen krimin. Ata pretendojnë se për krimet e kryera merrnin pagesa të majme.