Pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve të realizuara ditën e djeshme në Rrogozhinë, ka mbërritur edhe reagimi i Sali Berishës, ku përmes një dalje për mediat, ai është shprehur se nuk e pranon rezultatin e votave.

Kujtojmë se kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Rrogozhinës, Shkëlqim Hoxha humbi në zgjedhjet e përsëritura të 23 korrikut me një diferencë prej më shumë se 1 mijë vota, kundrejt atij të socialistëve.

“Procesi në Rrogozhinë u mbyll në mënyrë më kriminale sepse mandatin që ja dhanë qytetaret kandidati i koalicionit bashkë fitojmë ja rrëmbyen në mënyrë kriminale dhe antiligjore institucionet e farsës elektorale. Ja rrëmbyen pasi rezultati ishte përmbysur nga qendra e paligjshme e ngritur në burgun e Rrogozhinës.

Unë ju them këtu se u manifestuan të gjitha fenomenet më të shëmtuara antiligjore të farsës së majit.

Në rezultatin e mbrëmshëm qëndron një terror i paparë i ushtruar për një muaj rresht ndaj qytetarëve, ndaj biznesmenëve të Rrogozhinës. Terror fiskal e fizik. Në farsën elektorale u konstatuan manipulime të hapura. Fletë votimi të përgatitura paraprakisht. Fotografim i fletëve të votimit në qendrën e votimit, votime në grupe dhe familjare.

E gjithë kjo farsë u drejtua nga Erion Veliaj, i cili në përfundim të saj pranoi se shqiptarët nuk na duan. Pranoi se fituan jo se na duan.

Të mendosh se shtohen votat kur pas skandaleve të tmerrshme si ajo e klanit Rraja, pas skandaleve seksuale të zyrtarëve, të mendosh se shtohen votat pas arratisjes së shekullit, do të thotë të jesh me një koeficient intelektual afër zeros”, tha Berisha.