TROPOJË – Ish-kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar nisjen e një valë protestash deri në rrëzimin e Edi Ramës. Nga Tropoja ku zhvilloi “Foltoren” e radhës, Berisha i kërkoi kryeministrit që të mos e “ndalojë revolucionin paqësor”, pasi do të ketë pasoja.
“Edvin, ky është revolucion paqësor, por t’i përpiqesh ta bllokosh. Mjerimin do marrësh nëse tenton ta bllokosh. Nuk ka forcë në botë që ndal revolucionin. Pengun (Bashën) strehoje ku të duash. Bëjë ministër po deshe. Do dalim në rrugë derisa të përmbysim regjimin tënd. Harrojë se ngulim çadra. Ne jemi orteg”, tha Sali Berisha.
Ish-kryeministri mori në mbrojtje edhe ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla, i dënuar me burg nga gjykata. Sipas Berishës, Llalla u ndëshkua pasi denoncoi ambasadorin Donald Lu.
“Ju them unë këtu. Ka 2 vite që është themeluar SPAK. Në vitin 2020 nuk ka dërguar asnjë zyrtar të lartë për gjykim. SPAK është zgjedhur për të mos guxuar të vendosin para ligjit zyrtarë të lartë. Dhe mburet se dënoi ish-kryeprokurorin me 2 vite. Ju them unë një gjë. Është absolutisht dënim politik. Nuk them se nuk ka pasur shkelje ligjore, por ai zotëria denoncoi Donald Lu në Senatin Amerikan për korrupsion”, tha ai./Gazeta SHQIP