Shqiptarët festuan në Londër mbrëmjen e së hënës “Ditën e Pavarësisë” së Shqipërisë, duke shkaktuar irritim tek britanikët.
Shqiptarët dolën në rrugë e më pas në qendër të kryeqytetit britanik me makina të shtrenjta, brenda të cilave valëvisnin flamujt kuqezi.
“Ata shkaktuan kaos në rrugët e Londrës duke i rënë vazhdimisht borive për të festuar Pavarësinë e Shqipërisë që festohet çdo vit më 28 nëntor”, shkruajnë mediet britanike.
Videot e shpërndara në internet tregojnë automjete të tilla si Mercedez, Lamborghini dhe Porsche që ndalojnë trafikun rreth Westminsterit.
“Daily Mail” thotë se drejtuesit e disa makinave po manovronin ndërsa njëkohësisht i binin borive pandërprerë, ndërsa shumë vajza ishin veshur me kostume tradicionale dhe kërcenin në rrugë.