Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për Vlater Bamin, i akuzuar si autori i atentatit të Fushë-Krujës.
37-vjeçari u arrestua për armëmbajtje pa leje dhe është i dyshuar se është përfshirë në masakrën në Larushk, në atentatin ndaj biznesmenit Gentian Bejtja, ku mbeti i vrarë Ramazan Sino dhe u plagosën dy fëmijët e biznesmenit.
Në një komunikim për mediat avokati i Valter Bamit theksoi se klienti i tij është i pafajshëm, pasi dokumentohet nga të gjitha pamjet filmike dhe se sipas tij, Valter Bami kur ka ndodhur atentati ka qenë në banesën e tij, me nënën dhe fëmijët.
“Aty janë të gjithë pamjet filmike se ku ka qenë në kohën e ngjarjes, ka qenë me nënë. Por sot Prokuroria ndodhet në një pozicion të dobët profesional. Këto kërkojnë të pengojnë lëvizjen e lirë. Klienti im ka qenë i dënuar në 2018. Ligji ka disa kritere për të cilët mund të quhesh i rrezikshëm. Por gjykata vepron në mënyrë arbitrare nga opinioni dhe presioni. Klienti im shpjegoi që në orën që ka ndodhur ngjarja ka qenë në banesë me nënën dhe fëmijët. Lëvizjet e tij janë memorizuar të gjitha”, tha ai.