Pas 13 orësh diskutime, seanca plenare ku po diskutohet projektbuxheti dhe paketa fiskale 2023 u ndërpre mbrëmjen e djeshme.

Ndërkohë që ajo ka rifilluar sërish ditën e sotme prej orës 09:00.

Fjalën në foltoren e Kuvendit e ka marrë që në krye të herës deputeti i Partisë Demokratike, njëherësh kandidat në primaret e PD-së, Belind Këlliçi, duke iu drejtuar deputetëve të mazhoracnës “të cilët shqetësohen nga fjala e opozitës.”

Këlliçi: Pse anashkalohen propozimet e grupeve të interesit? Pse nuk dëgjohen ekspertët kur thonë që paketa fiskale e propozuar është jofunksionale. Ju i keni gati kartonët, nuk iu interesojnë diskutimet. Kryeministri ditën e djeshme iu drejtua opozitës me banalitet. Kjo shfaqje e djeshme ka një qëllim, transferimin e vëmendjes.

Prej vitit 2013 ju e rrëzuat parlamentarizmin shqiptar. kemi sot një kryeministër që është kampioni i banalitetit të vendit. Flet për dyfishim të buxhetit sepse janë dyfishuar çmimet. Pse nuk dyfishohen pagat dhe pensionet. Çmimet do të vazhdojnë të rriten, 3.2% më shumë kurse pensioni juaj qameti do të rritet me 1%.

Nuk ndodh në asnjë vend të Ballkanit që të krijohet një paketë e tillë penalitetesh që rëndon në kurriz të qytetarit.