Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Itali, ku një 17-vjeçar shqiptar, ndërroi jetë pasi një zjarr përfshiu një qendër pritjeje për të huajt.
Të lënduar nga ngjarja kanë mbetur një punonjës dhe një 16-vjeçar nga Gana, i cili u transportua me helikopter drejt spitalit të Veronës. Ai mësohet se është në gjendje të rëndë.
Ngjarja e rëndë, sipas asaj që shkruan agjencia italiane e Lajmeve ANSA, ndodhi rreth orës 02:30, për shkaqe ende për t’u sqaruar.
“Viktima është një djalë 17 vjeç, një djalë i ri shqiptar që ishte tek ne prej gati 1 viti. Ishte një djalë shumë i mirë”, tha për ANSA Michele Lisco, përgjegjësi i komunitetit për të rinj ku ndodhi zjarri. “Jemi të gjithë të tronditur. Momentalisht po përpiqemi të kuptojmë cilat kanë qenë shkaqet e rënies së zjarrit”, shtoi ai.
“Dëgjuam britma gjatë natës, dolëm dhe godina ishte e mbuluar nga tymi. Dëgjonim ulërimat e djemve, por nuk ndërhynim dot. Pati nga ata që u hodhën dhe nga dritarja”, rrëfen vajza e përgjegjësit, Lucrezia Lisco. Ajo flinte në një apartament pranë godinës dhe u zgjua nga britmat e të rinjve që qëndronin në qendër.
“Jemi të tronditur, nuk e dimë se çfarë ka ndodhur”, shtoi ajo.
Hetimet për ngjarjen po zhvillohen nga Karabinierët e Udines.