Disa orë para protestës së thirrur nga lideri demokrat Sali Berisha dhe Shoqëria Civile, është zbardhur edhe axhenda që do të ndjekin demokratët dhe protestuesit.

Burime bëjnë me dije se ish-kryeministri Sali Berisha do të marshojë rreth orën 19:00 nga selia blu në drejtim të kryeministrisë, ndërsa të gjitha degët e PD në rrethe do të jenë të grumbulluara fillimisht në dy sheshet kryesore, pra në sheshin ‘Skënderbej’ dhe atë ‘Nënë Tereza’, për të marshuar në bulevard drejt kryeministrisë, së bashku me liderin demokrat.

Burime bëjnë me dije se kolonë zanore e kësaj proteste do të jetë kënga ‘Një hap përpara’ e këngëtarëve Renis Gjoka dhe Big Basta, një këngë e ribërë pjesërisht, duke vënë theksin tek problemet me të cilat ndeshen shqiptarët siç është rritja e çmimeve.

Po ashtu si pjesë e axhendës është planifikuar që protesta të mund të hapet nga Altin Goxhaj, si kryetar i Frontit për Shpëtimin e Shqipërisë. Kjo protestë do të ketë një listë të gjatë folësish nga të gjitha shtresat e popullsisë, duke kulmuar me fjalën e ish-kryeministrit Sali Berisha.

Lideri demokrat është shprehur se kjo nuk do të jetë protesta e fundit, teksa ka paralajmëruar për këtë edhe kryeministrin Edi Rama me tone të larta, teksa protesta do të jetë si njësi matëse e reagimit dhe përgjigjes qytetare ndaj thirrjes së kryedemokratit.

Mbetet për tu parë nëse protestat do të jenë të vazhdueshme apo do të rikthehen në shtator.