11 inspektorë të IKMT-së janë shoqëruar ditën e sotme në polici.

Teksa lajmi është raportuar nga Gazeta Shqip, ka reaguar dhe Policia e Shtetit për këtë ngjarje.

Sipas njoftimit të autoriteteve bëhet me dije se në komisariat janë shoqëruar 11 inspektorë, teksa aktualisht janë proceduar në gjendje të lirë.

Inspektorët janë denoncuar nga një qytetar dhe më pas policia ka kryer veprimet proceduriale për saqrimin e plotë të ngjarjes.

Njoftimi i policisë: 

Më datë 24.07.2023 është paraqitur pranë Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë një subjekt privat dhe ka kallëzuar se ditën e sotme, në objektin e tij, janë paraqitur 11 inspektorë të IKMT-së, dhe vetëm 4 prej tyre kishin urdhër për kryerjen e inspektimit në terren.

Në ambientet e DVP Tiranë janë shoqëruar 11 shtetasit e mësipërm, të cilët pas deklarimeve përkatëse dhe komunikimit me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, janë proceduar në gjëndje të lirë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.