Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, ish-zv. ministri Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj kanë udhëtuar së bashku pas firmosjes së koncesionit të sterilizimit, çështjes për të cilën u dhanë tetë masa sigurie nga GJKKO.
Gazetarja Anila Hoxha tha se në dosjen që Top Channel ka ekskluzivisht vërehen edhe dyshimet që hidhen edhe ndaj dy ish ministrave të tjerë, ish ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe ish ministri i Financave, Shkëlqim Cani, për të cilin më 23 qershor gjyqtari Erjon Bani ka orientuar dhe sugjeruar SPAK-un që të ushtrojë ndjekje penale edhe ndaj tyre e ndaj katër funksionarëve të tjerë.
Në dosje thuhet se Ilir Beqja ka dalje në pikën kufitare Rinas më 25 shtator 2016. Po ashtu ka udhëtime jashtë shtetit mes Umbro Staccini dhe Ilir Rrapaj me Ilir Beqaj dhe ish zv ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, të cilët kanë vijuar të kenë kontakte edhe pas shpalljes fitues të koncesionit. Sipas SPAK, gjithashtu ka hyrje në Shqipëri në pikën e kalimit kufitar Morinë me makinë në datën 13.03.2018.
Në dosje përmenden detaje të tjera që nuk janë përmendur më herët sa i takon shprehjes së dakordësisë, ku ish ministri i Shëndetësisë i ka kërkuar takim shefave të Kirurgjisë para se të firmosej kontrata e koncesionarit në dhjetor të vitit 2015, për të cilën Beqja kërkoi plotfuqinë dhe mori miratimin nga katër ministra të tjerë, Mirela Kumbaro, Edmond Panariti, Arben Ahmetaj dhe Lefter Koka. Ata bien dakord për marrëveshjen me palën italiane, të firmosur në Umbria që më pas hapi procedurën për koncesionin e sterilizimit në dhjetor të 2015-ës.
“Admir Daca, administrator i shoqërisë koncesionare “Sani Service” që prej datës 01.12.2015 fitoi koncesionin objekt hetimi dhe Ilir Beqaj me detyrë Ministër i Shëndetësisë në atë kohë kanë dalje nga pika kufitare e Rinasit në datën 25.09.2016. Po ashtu kontaktet dhe udhëtimet jashtë shtetit mes Umbro Staccini dhe Ilir Rrapaj me Ilir Beqaj dhe Klodian Rrjepaj kanë vazhduar edhe pas shpalljes fituese në procedurën e koncesionit, konkretisht kanë hyrje në Shqipëri në pikën e kalimit kufitar Rinas në datën 23.05.2017, përkatësisht në orën 23:32 dhe 23:35 si dhe hyrje në Shqipëri në pikën e kalimit kufitar Morinë me makinë në datën 13.03.2018”, sipas SPAK./ Top Channel