Detaje të reja nga hetimi mbi sulmin ndaj Top Channel, ku u qëllua në drejtim të godinës së televizionit, duke mbetur i vrarë roja 61-vjecar, Pal Kola.

Hetuesit kanë tre profile të sakta ADN-je si dhe një nga gëzhojat. Edhe në një pjesë të makinës është gjetur një shenjë e plotë gishti që i përket një personi me rrezikshmëri shumë të lartë.

Automjeti i tre të dyshuarve ka lëvizur në rrugën dytësore të autostradës Durrës-Tiranë, e nëpërmjet Mëzezit ka hyrë për në rrugën “7 nëntori”. Fillimisht makina Range Rover ka dalë përballë godinës së Top Channel ka vijuar rrugën për tek “Kasem Shima” ka bërë një gjysmë rrotullim dhe është rikthyer sërish për në drejtim të televizionit në orën 12:30 minuta pas mesnate.

Dy prej vrasësve kanë dalë në dritaret e mjetit, njëri prej të cilëve në sediljen e pasme dhe kanë filluar të qëllojnë në drejtim të godinës.

Nga të shtënat mbeti i vrarë Pal Kola si dheu dëmtua fasada ballore e godinës së televizionit dhe dy automjete të parkuara në oborr.

Menjëherë pas breshërisë së kallashnikovit autorët u larguan përsëri nëpërmjet rrugës nga e cila mbërritën, për në drejtim të Durrësit, dhe në orën 12:36 pas mesnate janë fiksuar nga kamerat e sigurisë në zonën e Kasharit.

Në orën 00:55, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë kanë marrë njoftim për djegien e një automjeti, në autostradën Durrës-Rrogozhinë, në vendin e quajtur “Përroi i Agait”.

Sipas policisë automjeti i tipit “Range Rover Sport”, me ngjyrë kafe, është vjedhur një turisti kosovar në korrik të 2020-S, në fshatin Tale të Lezhës ndërsa targat e mjetit  janë  kallëzuar të vjedhura në Tiranë natën e ndërrimit të viteve.

Ndonëse zona ku ka ndodhur ngjarja ka kamera sigurie, mesa duket ende nuk është bërë i mundur identifikimi i atentatorëve. Për këtë, policia vendosi dhe një shumë prej 100 mijë eurosh për këdo që jep informacione lidhur me ta.