Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndën e ndodhur ditën e sotme në Fushë-Kruijë, ku 34-vjeçari Indrit Ndoj u gjet i vdekur.
Sipas burimeve nga policia, pas këqyrjes së viktimës u konstatua se ai është qëlluar nga një distancë e afërt me armë zjarri. Plumbi i ka prekur arterien femorale duke shkaktuar hemorragji të menjëhershme dhe duke i marrë kështu edhe jetën.
Nga ana tjetër, në vendngjarje nuk është gjetur asnjë gëzhojë dhe kjo ka ngritur dyshime se autori është profesionist dhe pasi ka kryer krimin, ka marrë gëzhojën me vetë për të mos lënë gjurmë.
Nga rikrijimi i skenës, dyshohet se viktima ka lënë më herët takim me autorin dhe më pas janë konfliktuar, duke hedhur poshtë pistën e pritës. Por nga ana tjetër, duke parë që plumbi ka qenë në këmbë, dyshohet që autori nuk ka pasur për qëllim ta vrasë 34-vjeçarin.
Deri më tani dyshohet se autori mund të jetë një banor i fshatit, teksa policia ka marrë në pyetje 15 persona, mes tyre familjarë apo edhe të dyshuar për ngjarjen si dhe banorë të zonës.