Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me me hetimet, që çuan pas hekurave kandidatin e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për bashkinë Himarë, Fredi Beleri.

Mësohet se provat kundër Belerit janë mbledhur nga një person i infiltruari i policisë, i cili i dorëzoi Belerit një listë me 15 votues, që kandidati i ka kontaktuar në telefon vetë duke u kërkuar vota.

Po ashtu, ka dyshime se të infiltruarit iu dhanë 40 mijë lekë të reja për 8 votues që ai i siguroi Belerit. Pasi ka verifikuar listën, Beleri i ka kërkuar të infiltruarit që të takojë Pandeli Kokoveshin, bashkëpunëtori i kandidatit të ‘BF’, i cili do t’i jepte 300 euro për blerje votash.

Kandidati i “Bashkë Fitojmë” në Himarë që u arrestua ditën e djeshme, Fredi Beleri pritet të dalë sot para gjyqit për tu njohur me masën e sigurisë.

Beleri është arrestuar pak pas mesnate para lokalit të tij bashkë me një person tjetër. Forca të shumta policie morën pjesë në prangosjen e tij, që u bë me urdhër të SPAK. Vetë Beleri dhe të tjerët, kanë mohuar që të jenë përfshirë në shkelje të tilla, si blerja e votave.