Aktivistja për të drejtat e njeriut, Elsa Ballauri ka folur në lidhje me dhunimin e të resë nga Kenia, Joy-t, që punonte në vendin tonë. Ajo u shpreh se  shteti shqiptar ka përgjegjësi për dhunimin e të resë.

Ballauri shtoi se nga mënyra sesi po shkojnë hetimet, ku prej kaq shumë muajsh ende nuk ka autorë të dhunës ndaj saj, tregon se ka njerëz apo institucione që kërkojnë ta zbehin ose ta fshehin ngjarjen.

“Është ngjarje e dyshimtë dhe shteti ka përgjegjësi të madhe. Ka një sërë gjërash që këto institucione kanë dashur të fshehin edhe ngjarje të tjera. Duke ndjekur realitetin shqiptar dhe si funksionon drejtësia, gjëja e parë që të shkon në mend është që ka njerëz që mund të kenë interes për ta zbehur ngjarjen.

Mund të jetë dhe një lloj neglizhence për këtë çështje. Ky është një rast që edhe drejtësia të tregojë se merret me të gjitha çështjet, sepse nuk është thjeshtë një vajzë e huaj që jetonte në Shqipëri, por është femra në vetëvete”, u shpreh Ballauri.