Ish-oficeri i policisë Emiljano Nuhu ka deklaruar se fisi Rraja është një bandë kriminale e cila ka mbështetje të madhe politike.
Nuhu theksoi se është i bindur që edhe rrahjen e pjesëtarëve të fisit Maja, shefi i komisariatit të Fushë-Krujës e ka referuar deri te ministri, por më pas është urdhëruar ta mbyllë dosjen.
“Në këtë rast nuk mund ta quaj që policia është e inkriminuar. Unë mendoj se mbrapa fshihet një forcë më madhore.
Kjo provon dhe forcën që ky grup ka pasur dhe në vitin 2018, kur ai person që ju shihni mbrapa, Xhelal Rama më ka nxjerrë pistoletën dhe më ka kërcënuar në zyrën time. Më ka drejtuar pistoletën, kam qenë oficer policie, më ka kërcënuar që të mos kryeja veprime proceduriale për arrestimin e nipit të tij.
Aq të fuqishëm janë me mbështetje politike. Janë një bandë kriminale, i ka dhënë fuqi pushteti dhe bëjnë çdo gjë që i ka dalur para”, tha Nuhu.
Ngjarja u shënua mesditën e djeshme, 6 korrik 2023, ndërsa sot Policia e Shtetit informoi se ka arrestuar 4 persona ndërsa 3 u shpallën në kërkim. Organizatorët janë kujdesur ta filmojnë për tia treguar dhe të tjerëve pasojat që mund të ndodhin nëse ankohesh. Mes dhunuesve janë dhe dy vëllezërit e deputetit socialist Rrahman Rraja, konkretisht Flamur dhe Xhelal Rraja, si dhe djali i deputetit, Rexhep Rraja. Shkak është një gurore në fshatin Borizanë, në pronësi të Përparim Rrajës, kushëriri i deputetit, i cili ka leje shfrytëzimi dhe licencë për këtë aktivitet.