Aktivistja Evi Kokalari ka prezantuar dje në Tiranë lëvizjen e saj të re politike “Konservatorët”.
Teksa dikur ishte në krah të Berishës dhe bënte propagandën e tij, ditën e djeshme ajo hodhi akuza të forta ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta,
Kokalari i ka konsideruar si aleatët dhe paralajmëruar se do t’u bëhet malore mbijetesa në politike, për shkak se partia e saj do jetë faktor në Shqipëri.
Kokalari prezantoi partinë e saj ende pa u konfirmuar mirëfilli si një parti politike, ndërsa sipas saj, kjo lëvizje që do të jetë e hapur për të bashkëpunuar edhe me PD, do të ketë një mision fillestar.“Të tërë pyesin një gjë. Si do e ndryshojmë. Të flasësh lartë e poshtë për doktrinën konservatore nuk është koha. Por një gjë që ne duhet të bëjmë është ndryshimi i mentalitetit se si bëhet politike në Shqipëri”, tha Kokalari. Ndër të tjera, Evi Kokalari prezantoi edhe objektivin që ka kjo lëvizje e re politike për procesin e ardhshëm elektoral të 2025-ës.“Do fillojmë nga baza.
Do mbledhim bazën dhe mund të kthehet në parti politike në çdo moment para zgjedhjeve të 2025. Por deri sa të vijnë zgjedhjet, ajo që dua unë të bëj është që të mbledh 140 vetë me karakter të fortë dhe me integritetin e duhur që të hyjnë në Parlament”, u shpreh ajo. Duke shprehur keqardhje për zhvillimet në PD dhe devijimin që partia e drejtuar nga Berisha pësoi nga doktrina konservatore, Kokalari u shpreh e sigurt se shumë demokrat do i bashkohen kësaj nisme të re politike.
“Dalëngadalë këta të PD do na afrohen, sepse më shumë kohë që kalon, ata më shumë lodhën. Momentalisht ata ndihen të lodhur. Ne duhet të ngremë elektoratin gri, dua t’ju falënderoj ju, pasi shumë prej jush mund të keni pasur kërcënime për të mos marrë pjesë në këtë takim sot”, theksoi Kokalari. Gjatë këtij eventi në Tiranë, Kokalari foli për një model ndryshe të kësaj partie, duke theksuar se ajo mund të mos jetë e vetmja drejtuese e partisë së re që pritet të lindë.
Kokalari: Berisha e donte partinë për hallet e veta
Ndërkohë, aktivistja Evi Kokalari duke komentuar rezultatin e dobët të opozitës në zgjedhjet lokale të 14 majit, theksoi pak ditë më parë se kjo humbje erdhi për shkak të koalicionit me Ilir Metën dhe dështimit të Berishës për të hapur partinë. Në një intervistë televizive dje, Kokalari përmendi edhe parregullsitë dhe manipulimet në disa procese votimesh të brendshme në PD, si arsye pse demokratët u zhgënjyen dhe braktisën Berishën dhe partinë.
“Personalisht ia kam vënë fajin më të madh koalicionit të tij me Ilir Metën. Gabimi ka filluar që në Kuvendin e 30 prillit të vitit të kaluar, ku pati manipulime të votës që i bëri Këlliçi. Më vonë ishte forumi rinor, janë disa gjëra bashkë. U pa dukshëm që Berisha nuk kishte asnjë dëshirë për të hapur partinë, por i mori frymën duke dashur të mbante kontroll maksimal. Kam folur privatisht fillimisht me Berishën, për të ndryshuar mënyrën si po bënte PD-në e rithemeluar, që nuk ishte aspak e rithemeluar, por ai tha se janë gjëra të vogla”, tha ajo. Kokalari theksoi se ajo që e fundosi Berishën sipas saj, ishte koalicioni me kreun e PL Ilir Meta.
“U duk haptazi që Berisha nuk kishte në mendje një rithemelim, por një zakon të vjetër, për të marrë pushtetin për të shpëtuar nga problemet që kishte. Ne i dolëm të tërë në krah për problemet që kishte. Ajo që e fundosi në mënyrë absolute ishte koalicioni me Ilir Metën.
Ai duhet të negocionte me PD-në e Alibeajt. Kur i hoqën vulës, ishte shumë dëshpëruese, por ai duhet të evitonte të shkonte me logon e Ilir Metës, sepse në mënyrë absolute e fundosi”, tha Kokalari. Ndërsa e pyetur nëse ka ardhur koha që Berisha të largohet nga politika, ajo shtoi se fillimisht ai duhet të dalë dhe të prishë koalicionin me Metën.“Ai duhet të dalë dhe të deklarojë që do të prishë koalicionin me Ilir Metën. Këtë ta bëjë për t’i ngritur moralin demokratëve. A duhet të shkojë në shtëpi? Ndoshta edhe duhet të shkojë të them të drejtën. Ai kishte mbështetje, por e humbi nga koalicioni me Metën.
Tregoi se nuk është serioz dhe zhgënjeu shumë njerëz. Edi Rama mund të ketë bërë lojëra me votat, por këta kanë humbur totalisht. Ka zona me 75%.Unë them që Berisha duhet të ndajë njëherë koalicionin, sa për t’i dhënë pak kurajë të gjithëve. Dua të shoh se kush do ti kërkojë të largohet nga PD, ata që duan të marrin partinë apo njerëzit seriozë? Megjithatë, dua të them diçka, faji nuk bie vetëm mbi Sali Berishën, por mbi të gjithë ata që kanë mundësuar që Berisha dhe Meta të bëjnë këtë që po bëjnë sot”, nënvizoi Kokalari.