Sekretarja e Brendshme në Britaninë e Madhe, Suella Braverman pritet të njoftojë brenda disa ditësh një “goditje” ndaj emigrantëve shqiptarë, përmes një ligji të ri.

The Sun raporton se kjo vjen pasi rritjes së statistikave për shqiptarët që mbërrijnë në ishull me gomone, të cilat tregojnë se 12,000 shqiptarëve ende nuk u janë marrë në shqyrtim kërkesat e tyre për azil, edhe pse kanë hyrë në Britani para gjashtë muajsh.

Kryeministri Rishi Sunak u ka thënë deputetëve konservatorë privatisht se rregullimi i kufijve të thyer të Britanisë është “përparësia e tij numër një”.  Ai ka qenë i ngujuar me Sekretaren e Brendshme për të punuar në lidhje me një plan top-sekret për t’ë ashpërsuar ligjet dhe parandaluar rritjen e mëtejshme të fluksit të emigrantëve që kalojnë kanalin me gomone.

Sipas medias britanike, bëhet fjalë për një paketë të plotë masash për të goditur gomonet, për të ulur faturën e hoteleve për azilkërkuesit dhe për të kthyer kërkuesit fals para Vitit të Ri.

Mbi 40,000 njerëz kanë mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar me gomone deri më tani këtë vit. Tatimpaguesit po paguajnë 6.8 milionë paund çdo ditë për faturat e hoteleve për azilkërkuesit. Më shumë se një e katërta e tyre janë shqiptarë.