Ditën e sotme është konfirmuar lajmi se ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu është emëruar zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë duke u bërë kështu pjesë e kabinetit të qeverisë “Rama 3”.

Veliu ka dhënë dorëheqjen nga posti që mbante në Policinë e Shtetit me justifikimin se kërkonte kohë t’i përkushtohej familjes së tij.
“Por në këtë moment kam vendosur të mos kërkoj një mandat tjetër dhe t’ju ofroj dorëheqjen time për t’u përkushtuar më shumë familjes dhe fëmijëve që tani janë në një moshë delikate e të cilëve iu kam munguar pafund këto katër vite.”– shkruante Veliu në letrën e dorëheqjes drejtuar kryeministrit Rama.

Mbështetetur në këtë pretendim të vetë zotit Veliu, cituar në dorëheqjen e tij, marrja e postit të ri pranë kabinetit qeveritar “Rama”, në një ministri si ajo e Infrastrukturës dhe Energjitikës është kontradiktore duke mos i dhënë këtij të fundit as kohën e nevojshme për tu marrë me familjen dhe fëmijët e tij.

Sjellim në vëmendjen se dorëheqja e Ardi Veliut erdhi në fakt në një kohë kur ai pritej të shkarkohej nga detyra, pas një afati 100 ditor që kryeministri Edi Rama i kishte vënë Policisë së Shtetit për rritjen e performancës.

Unë dua t’ju them se keni 100 ditë kohë për ta rivënë të gjithë trupën në angazhim maksimal nga i pari tek i fundit. Asnjë ditë më shumë, vetëm 100 ditë! Që qytetarët të marrin frymë shumë të plotësuar, duke e parë Policinë e Shtetit në një nivel tjetër. Asnjë shkencë, asnjë shpikje, asnjë luftë me një të panjohur, thjesht dhe vetëm gjërat që i dini, që dini t’i bëni mirë, se ndaj jeni zgjedhur, gjërat që njerëzit duan si themelin e marrëdhënies me shtetin dhe policinë e tyre. Kjo duhet bërë në respektin e vetes, të masës dërrmuese të trupës që është korrekte dhe që nuk ka pse i paguan kostos një pjesë që duhet zhdukur nga Policia e Shtetit dhe që duhet të shkojë para drejtësisë. Në çdo qark, në 100 ditë, duhen dhënë shembujt e qartë, që nuk ka polici pa ndëshkueshmëri. Ju nuk e keni fare problem t’i gjeni, t’i kapni për krahu e t’i çoni para drejtësisë. Ky është një objektiv i palëvizshëm. Në çdo qark, policë rrugorë, komisarë, shqiponja, skifterë, qakej, që rrinë si të infiltruar brenda trupit, duhet të shkojnë para drejtësisë.”– deklaronte Rama më 8 korrik.

Nën drejtimin e Ardi Veliu, policia e shtetit ka qenë si kurrë më parë nën sulmin e opozitës, shoqërisë civile dhe qytetarëve shqiptare pas disa skandaleve të njëpasnjëshme të këtij drejtuesi në mënyre direkte dhe indirekte./ Gazeta Shqip