Ka nisur seanca gjyqësore për dhënien e masës së sigurisë së tre personave të arrestuar për kërcënimin e biznesmenit nga Cërriku, të cilit iu kërkua të tërhiqej nga një tender 1 milion euro i Bashkisë së Tiranës.
Tre të arrestuarit Edmir Boci, Algert Alcani dhe Sheqir Alcani akuzohen për “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie”.
Në kuadër të operacionit të koduar “Tenderi”, pas një hetimi një mujor, policia e Elbasanit në bashkëpunim me Prokurorinë arrestuan Edmir Boçi, 37 vjeç, Algert Alcani, 27 vjeç, dhe Shaqir Alcani 62 vjeç, tre banues në Tiranë, si dhe u shpall në kërkim shtetasi L. K., 38 vjeç, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim.
Neni 109/B i Kodit Penal parashikon 2-8 vite burg për shtrëngim apo kanosje për përfitim të pasurisë dhe 7-15 vite burg në rast të torturave apo përdorimit të armëve.
Përgjimet telefonike që prokuroria pritet ti vejë në dispozicion gjykatës do të hedhin dritë mbi rrethanat e kërcënimeve ndaj administratorit të Meteo SHPK nga Cërriku, i cili u kërcënua me jetë për të hequr dorë nga tenderi 1 milion euro i Bashkisë së Tiranës.
Teksa nuk pranoi të tërhiqej nga procedura e një konkurrimi korrekt, E.M. ra pre e kërcënimeve të vazhdueshme ndaj tij dhe familjes, derisa çështja i kaloi në dorë organeve të drejtësisë.
Policia dhe prokuroria vijojnë hetimet ndërkohë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale automjeti i përdorur nga autorët dhe 8 aparate celulare.